Pensioni pas vdekjes së familjarit, ja sa para përfitojnë bashkëshorti dhe fëmijët

Humbja e një familjari që ka qenë përfitues ose kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore sjell edhe të drejtën për pension familjar për anëtarët e familjes që plotësojnë kushtet. Por sa është masa e këtij pensioni dhe si ndahet mes bashkëshortit dhe fëmijëve? Pensioni familjar përcaktohet mbi bazën e pensionit që personi i ndjerë merrte ose do të kishte përfituar. Masa e përfitimit ndryshon në varësi të numrit dhe statusit të pjesëtarëve të familjes që kanë të drejtë të marrin pension.
Sipas sqarimeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni familjar llogaritet si pjesë e pensionit që i takonte personit të ndjerë. Kur përfitues është bashkëshorti ose bashkëshortja e ve, masa e pensionit familjar është 50% e pensionit që merrte ose do të merrte personi i ndjerë. Kjo masë ndryshon në rast se në pension familjar përfshihen edhe persona të tjerë që plotësojnë kushtet ligjore. Për çdo jetim ose person tjetër që ka të drejtë të përfitojë pension familjar, masa është 25%. Një rregull i veçantë zbatohet kur në pension mbetet vetëm një jetim. Në këtë rast, masa e pensionit për të është 50% e pensionit që merrte ose do të merrte i ndjeri. Kur janë më shumë se një jetim përfitues, secili prej tyre përfiton 25%.
Një rast i veçantë është ai i fëmijës që humbet të dy prindërit. Në këtë situatë, jetimi ka të drejtë të marrë pension jetimi për secilin prej prindërve, sipas rregullave të skemës së sigurimeve shoqërore.
Pensioni familjar nuk mund të tejkalojë pensionin që personi i ndjerë merrte ose do të merrte. Pra, edhe nëse ka disa persona që plotësojnë kushtet për përfitim, shuma totale e pensionit familjar nuk mund të jetë më e madhe se masa e pensionit të personit që ka ndërruar jetë. Kjo do të thotë se mënyra e përllogaritjes varet nga numri i përfituesve dhe nga statusi i tyre.






Comments