Pensionet e shqiptarëve në rrezik? Elvin Meka nxjerr në pah boshllëkun e madh të skemës

Nga Elvin Meka
Në datë 22 shtator 2026 është hedhur për konsultim publik projektligji për fondet e pensionit privat. Nga sa mund të konsultohen materialet, edhe kjo ndërhyrje e shumëpritur, që lidhet me ndërhyrjen në skemën e pensioneve në Shqipëri, në komponenten e shtyllës së dytë (kontribute private – menaxhim privat), nuk do të mund të zhvillojë dhe revolucionarizojë skemën e pensioneve në Shqipëri; do mbetemi dhe ecim ende gjatë në kuadër të një skeme pensionesh që zhvillohet zvarranikisht dhe kërmillisht, për publikun e gjerë dhe punëmarrësin e zakonshëm shqiptar!
Ndryshimet e propozuara vijojnë të persosin dhe ndërlikojnë aspektet e mbikëqyrjes, licencimit, raportimit, transparencës së institucioneve dhe subjekteve të angazhuara në pensionet vullnetare, si dhe mbrojtjen ligjore më të mire të anëtarëve të fondeve private të pensioneve, duke ju përafruar përsosmërisht nga forma skemave evropiane dhe Direktivës respektive evropiane…por vetëm në formë, pasi Shqipëria si realitet fondesh private pensionesh nuk ka asnjë lloj baze krahasimi, si në aspektin e pjesëmarrjes, ashtu dhe në aspektin e angazhimit praktik të punëdhënësve në këto skema!!! Me përjashtim të industrisë financiare shqiptare, disa subjekteve private të caktuara dhe individëve të caktuar, administriata publike dhe sipërmarrja private shqiptare është masivisht jashtë radarit të skemës dhe shtyllës së dytë të pensioneve dhe do vijojë të mbete e tillë nëse nuk ddo të ketë në vijim një venndimmarje të fortë revolucionarizuese politike, për ta bërë shtyllën e dytë të pensioneve të detyrueshme në pjesëmarrje dhe rpivate në menaxhim...ashtu siç e ka treguar përvoja e suksesshme e Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërhyrja ligjore nuk prek thelbin e ngritjes së një shtylle të dytë solide të pensioneve, që do të mund të përballojë sfidat ekzistenciale të shtyllës së parë (pensioni social i skemës PAY-AS-YOU-GO). Ndërhyrjet e vitit 2023 dhe tashmë të vitit 2026 për fat të keq nuk premtojnë krijimin dhe zhvillimin aktiv e të shpejtë të një shtylle të dytë pensionesh, por vijohet të mbështetet parimi dhe filozofia e “vullnetaritetit” në drejtim të kontributit individual të qytetarit shqiptar në shtyllën e dytë të pensionit, duke ofruar nxitësa shumë të mirë dhe të vlerësueshëm fiskalë, por që nuk “mbijnë” në tokën e ashpër të mirëqenies mesatare dhe nivelit të edukimit financiar të shoqërisë shqiptare e të qytetarit shqiptar, e mbi të gjitha, me nivelin e ndërgjegjësimit dhe kuptueshmërisë së rëndësisë së kësaj shtylle nga sipërmarrja dhe sipërmarrësit shqiptarë.
Shoqëria dhe qytetari shqiptar nuk mund të krahasohet, në parametër absolut, me asnjë shoqëri të cilitdo vendi të BE-së, në drejtim të mirëqenies dhe të ardhurave të disponueshme, si dhe të të kuptuarit apo të ndërgjegjësuarit mbi nevojën e kursimit “të detyruar” afatgjatë me avantazhe tatimore të dukshme, që çdo i punësuar duhet të realizojë gjatë karrierës së tij profesionale, në çdo lloj profesioni dhe pune. Nga ana tjetër, sipërmarrja shqiptare dhe veçanërisht sipërmarrësi shqiptar është vite dritë larg pranimit të konceptit të pagesës së një kontributi suplementar për punonjësit e tij, si pjesë e paketës së kompensimit mujor të punëmarrësit. Në një ekonomi, shoqëri dhe sipërmarrje që punon e jeton sipas parimeve: “sa lekë në dorë marr”, “gjysmën e pagës e ke në bankë, gjysmën në dorë”, “një pjesë të rrogës formale do e kthesh mbrapsht te pronari”, e ku ende ka një nivel të konsiderushëm evazioni fiskal, ekonomi gri dhe aplikim në nivele ekselence shkencore, të denja për çmim Nobel, të skemave novatore të evazionit fiskal, shmangies tatimore dhe nëndeklarimit nga sipërmarrësit shqiptarë, është utopike të synohet një kuadër ligjor dhe qasje që normalisht do të ishte e përshtatshme për një shoqëri evropiane të BE-së, për sipërmarrje shumë më transparente dhe serioze apo e përgjegjshme që vlerëson siç duhet kapitalin human dhe që nuk ofron vetëm rrogë (edhe atë sipas modelit all-shqiptarçe) por dhe përfitime të tjera për punonjësit (pension suplementar, sigurim shëndetësor dhe jete, etj.), për një ekonomi shumë më tepër konkurruese, si dhe për një publik shumë më të informuar dhe edukuar financiarisht. Fatkeqësisht, Shqipëria ka defiçenca të theksuara në të gjitha këto aspekte dhe drejtime, e natyrshëm që qasje të tilla nuk mund ta transformojnë as ekonominë, as mendësinë e sipërmarrjes dhe të publikut e as mirëqenien afatgjatë të qytetarëve shqiptarë.
Po çfarë duhej bërë, ose si duhej ndërhyrë?
Për të zhvilluar shtyllën e dytë të pensioneve dhe revolucionarizuar skemën e pensioneve dhe rritu mirëqenien e qytetarit shqiptar, DUHEJ VENDOSUR ME LIGJ NDARJA E SHTYLLËS SË PARË EKZISTUESE NË DY SHTYLLA, ku pjesa më e madhe (mbi 80-90%) e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore do të vijonin të derdheshin në buxhetin e shtetit për pensionet sociale dhe pjesa tjetër shkonte kontribut i detyrueshëm në shtyllën e dytë, si fond personal i çdo punëmarrësi në Shqipëri, që menaxhohet privatisht (jashtë buxhetit të shtetit), ose institucionalisht (në rastin e administratës publike). Kjo jo vetëm që nuk do kishte nevojë për të pritur “ndërgjegjësimin” dhe “edukimin” e sipërmarrësve dhe publikut shqiptar, por nuk do kishte nevojë as për rishikim të nivelit të kontributeve aktuale. Sigurisht do të prodhonte një kosto financiare për qeverinë, kosto kjo që do mund të rikuperohej nga formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë dhe mirëadministrimit të buxhetit të shtetit.
Kjo skemë “me detyrim” e shtyllës së dytë të pensioneve (si ne rastin e Maqedonise se Veriut, si skema me e spikatur qe ndjek kete model ndarje)do ishte efikase për Shqipërinë, ku suksesi i reformave nuk varet nga perfeksioni i formës por “bërja me detyrim” e gjerave. Shqipëria ka ende, për shumë kohë, nevojë për reforma me detyrim, derisa praktika e punës të bëhet natyrë e sipërmarrjes dhe e individit. Për krahasim, supozoni sa do paguanin shqiptarët siguracion makine (TPL) nëse nuk do ishte me detyrim, ose sa paguajnë shqiptarët për sigurime vullnetare shëndeti dhe jete (që në BE dhe kudo, PËRVEÇ SHQIPERISË) përbëjnë pjesën dërrmuese të totalit të primeve të paguara nga bizneset dhe qytetarët!
Si në shumë fusha të jetës, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për t’u futur në korniza, kontekste dhe praktika të detyrueshme, si dhe të ndjekin rregulla të detyrueshme administrativisht, me qëllim që të sigurohet mbarëvajtja e biznesit, administrimit publik, edukimi i sipërmarrjes dhe publikut (që është proces i gjatë ose i pafundëm), me synimin madhor: RRITJEN E MIRËQENIES SË QYTETARIT SHQIPTAR!






Comments