top of page

PBB rritet me 3.61% në tremujorin e dytë, shërbimet dhe administrata mbajnë ekonominë

Sep 29
1 min read

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara për Produktin e Brendshëm Bruto. Rritja është mbështetur kryesisht nga aktivitetet e shërbimeve dhe sektorët publikë. Kontributin më të madh e dha grupi “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, me 1.38 pikë përqindje. Në vend të dytë renditet “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, me një kontribut prej 0.98 pikë përqindje. Ndërkohë, dy sektorët me peshë në ekonomi “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” kontribuan me 0.36 pikë përqindje, ndërsa “Ndërtimi” me 0.15 pikë. Kontribute pozitive, por më të kufizuara, dhanë edhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me 0.06 pikë përqindje, “Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit” me 0.05 pikë dhe “Industria, Energjia dhe Uji” me 0.05 pikë përqindje.  Në anën tjetër, bujqësia vijon të mbetet një faktor frenues për rritjen. “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” kontribuoi negativisht me 0.38 pikë përqindje. Edhe “Aktivitetet profesionale dhe Shërbimet administrative” dhanë një kontribut negativ prej 0.14 pikë përqindje, ndërsa “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” me 0.03 pikë.  Struktura e rritjes së tremujorit të dytë tregon se ekonomia vijon të mbështetet ndjeshëm te shërbimet, tregtia dhe aktivitetet e lidhura me pasuritë e paluajtshme, ndërsa bujqësia mbetet ndër sektorët me ndikim negativ në ecurinë e përgjithshme ekonomike.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page