Parkim i ri me 1,400 vende në QSUT, Rama zbulon planin

Territori i Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës pritet të pësojë një ndryshim të rëndësishëm me përfundimin e parkimit të ri në hyrje të kompleksit. Projekti parashikon 1,400 vende parkimi dhe, sipas kryeministrit Edi Rama, synimi është që automjetet të largohen tërësisht nga hapësirat e brendshme të spitalit.
Gjatë vizitës në ambientet e reja të Kardiokirurgjisë, Rama tha se rreth 900 prej vendeve të reja do të përdoren nga personeli i QSUT-së, ndërsa 500 vendet e tjera do të shërbejnë si burim të ardhurash dytësore për spitalin. “Me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit”, deklaroi Rama.
Sipas tij, pas lirimit të hapësirave nga automjetet, i gjithë territori i QSUT-së do të konceptohet si një hapësirë e gjelbër. Kryeministri tha se synohet krijimi i një parku të ri brenda territorit të spitalit dhe se puna për këtë projekt pritet të realizohet brenda një periudhe prej rreth dy vitesh.
Krahas ndryshimit të hapësirave të jashtme, Rama bëri të ditur se investimet në QSUT do të vijojnë edhe në fazat e ardhshme, ndërsa paralajmëroi një tjetër zhvillim që lidhet me mënyrën e menaxhimit dhe bashkëpunimit me një strukturë spitalore partnere. Sipas tij, aktualisht po diskutohen disa alternativa për një partneritet me një strukturë të njohur ndërkombëtare. Ideja, siç e shpjegoi kryeministri, nuk do të kufizohet vetëm te vizitat apo trajnimet e mjekëve, por do të përfshijë një model më të gjerë bashkëpunimi. Në këtë kuadër, mjekët shqiptarë do të mund të shkojnë në institucionin partner, ndërsa mjekë të huaj do të vijnë në QSUT.






Comments