top of page

Paratë për pleqërinë, më shumë shqiptarë po investojnë në pensione private

Sep 22
2 min read

Gjithnjë e më shumë qytetarë po i drejtohen fondeve private të pensionit si një mënyrë për të krijuar një burim shtesë të ardhurash për periudhën pas daljes në pension. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të vitit të kaluar rreth 50 mijë qytetarë investonin në fondet private të pensionit. Numri i anëtarëve është rritur me 11.2% krahasuar me një vit më parë.


Eksperti bankar dhe i sigurimeve, Artur Ribaj, shpjegon se fondet private janë instrumente investimi afatgjata dhe kursimet që mblidhen investohen kryesisht në instrumente financiare me rrezik të kontrolluar.

“Bëhet fjalë për një investim afatgjatë, që shkon në disa vite, dhe si i tillë vetë fondi investohet në periudha afatgjata. Kjo do të thotë se mund të ketë një kthim më të madh nga investimi, në krahasim me interesat që ka një depozitë”, tha Ribaj.


Sipas tij, fondet e pensionit investojnë kryesisht në obligacione dhe tituj financiarë me siguri të lartë, në përputhje me rregullat dhe kërkesat e legjislacionit. Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se për kursimet afatgjata duhet marrë në konsideratë edhe efekti i inflacionit. Rritja e çmimeve mund të ndikojë në fuqinë blerëse të parave në momentin kur ato do të përdoren.


Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa thekson se vlera e parasë mund të gërryhet me kalimin e kohës nga inflacioni, ndërsa për kursimet në valutë të huaj ndikon edhe kursi i këmbimit. “Përgjithësisht, fondet e pensioneve duhet të garantojnë norma kthimi aq të larta sa të ruajnë në kohë vlerën e parasë. Por, duke pasur parasysh që tregu financiar në Shqipëri nuk të ofron shumë zgjidhje për investim, është e kuptueshme që normat e kthimit të investimeve, përfshirë edhe fondet e pensioneve, mbeten në nivele modeste dhe të ulëta”, tha Xhepa.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page