top of page

Pagat e magjistratëve përplasin drejtësinë me qeverinë, Malaj kallëzohet në SPAK

Sep 10
2 min read

Ngërçi për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka marrë një tjetër përmasë. Pas bllokimit të listëpagesave, 18 gjykata dhe shoqatat e gjyqtarëve e prokurorëve kanë depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë Gentian Keri dhe 14 drejtuesve të degëve të Thesarit. Përplasja tashmë nuk është vetëm institucionale. Çështja ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme, ku magjistratët kërkojnë hetim për mënyrën se si është vepruar me pagat e muajit gusht. Në kallëzim ngrihen pretendime për “shpërdorim detyre”, “pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.


Kallëzimi është firmosur nga 18 gjykata, ndërsa nuk janë përfshirë Gjykata Administrative e Lushnjës dhe Gjykata e Lartë. Në qendër të përplasjes është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve. Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të përcaktuar, 31 korrikut, formulën e re të pagave. Pas skadimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vlerësuan se duhej të zbatonin vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan një pagë të re referuese prej 222.425 lekësh, nga 156.800 lekë që ishte më parë, së bashku me shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Por Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura mbi bazën e rritjes së re. Argumenti i ministrisë është se përcaktimi i formulës së pagave i takon Kuvendit dhe se listëpagesat duhet të ridërgohen sipas metodologjisë së mëparshme. Kjo situatë ka bërë që pa pagat e gushtit të mbeten jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës dhe stafit ndihmës në gjykata e prokurori.


Në kallëzimin penal, magjistratët kërkojnë që të verifikohet nëse zyrtarët përgjegjës kanë penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në fokus është edhe roli i drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe. Sipas pretendimeve të kallëzuesve, këta zyrtarë kishin përpara listëpagesa të hartuara nga institucionet e drejtësisë dhe, pavarësisht pretendimit se fondet për pagesat ekzistonin, nuk autorizuan kalimin e tyre drejt bankave. Për këtë arsye, në kallëzim pretendohet se mund të jetë konsumuar vepra penale e mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës.


Magjistratët kanë kërkuar gjithashtu që SPAK të administrojë dokumentet dhe komunikimet institucionale që lidhen me vendimin e Kushtetueses, korrespondencën mes Ministrisë së Financave dhe Thesarit, si dhe gjurmët elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit. Një tjetër pikë që kërkohet të verifikohet është nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme.

Përveç ministrit të Financave, kallëzimi prek edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Keri.


Sipas pretendimeve të magjistratëve, ai, në cilësinë e eprorit të degëve të Thesarit, ka ndërhyrë përmes komunikimeve elektronike për të mos lejuar kalimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për këtë arsye kërkohet hetimi i tij për pengimin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Në kallëzim përfshihen edhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page