top of page

“Nuk mbijetojmë dot më!" Blegtorët i dërgojnë qeverisë 7 kërkesa urgjente

Sep 29
2 min read

Blegtorët prodhues i kanë kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për të lehtësuar situatën e sektorit, duke paralajmëruar se vështirësitë e kostove dhe mbështetja e pamjaftueshme po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit. Përfaqësues të sektorit i kanë drejtuar një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, ku parashtrojnë shtatë kërkesa konkrete për sektorin e qumështit dhe blegtorinë.


Sipas tyre, problematikat e sektorit ishin diskutuar edhe në takimin e 7 prillit 2026 me ministrat e Bujqësisë dhe Financave, ku ishte rënë dakord që çështjet të trajtoheshin në muajin shtator. Blegtorët argumentojnë se situata e tregut është përkeqësuar dhe nuk lejon më shtyrjen e masave.


“Aktualisht blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente”, thuhet në letrën e tyre. Një nga kërkesat kryesore lidhet me koston e karburantit. Blegtorët kërkojnë uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së akcizës dhe taksave për sektorin. Kjo kërkesë ishte ngritur edhe gjatë protestave të fermerëve në muajin prill, në një periudhë kur rritja e çmimeve të karburanteve dhe inputeve bujqësore kishte shtuar kostot e prodhimit. Në listën e kërkesave është edhe rialokimi i fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së drejt subvencionimit të blegtorëve. Sipas të dhënave të publikuara nga Revista Monitor, aplikimet për këtë kompensim kanë nisur më 1 korrik dhe efekti financiar për vitin e parë është parashikuar në rreth 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro. Blegtorët kanë shprehur më herët shqetësime për mënyrën e zbatimit të kësaj skeme.


Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë gjithashtu rishikimin e skemave ekzistuese dhe rritjen e subvencioneve, pasi vlerësojnë se mbështetja aktuale nuk është e mjaftueshme për përballimin e kostove. Një tjetër kërkesë është krijimi i një laboratori shtetëror për analizat e qumështit, si edhe vendosja e tarifave për importin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe hirrës. Blegtorët kërkojnë njëkohësisht forcimin e kontrolleve për qumështin e importuar dhe verifikimin e përmbajtjes së tij. Në mënyrë të veçantë, ata kërkojnë që etiketat e produkteve të bulmetit të tregojnë origjinën e qumështit të përdorur në prodhim, përfshirë rastet kur produkti vendas përpunohet me qumësht të importuar.


Shtatë kërkesat e paraqitura nga blegtorët janë:

1. Krijimi i një laboratori shtetëror për analizat e qumështit.

2. Heqja e akcizës dhe taksave për naftën e përdorur nga blegtorët.

3. Vendosja e tarifave për vajin e palmës, qumështin pluhur dhe hirrën e importuar.

4. Rishikimi dhe rritja e subvencioneve për blegtorët.

5. Etiketimi i produkteve duke përcaktuar origjinën e qumështit të përdorur.

6. Kalimi i fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së te subvencionet për blegtorinë.

7. Kontrolle në kufi për qumështin e importuar, përfshirë analizat për aflatoksinë, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page