top of page

Një nga gangrenat e pronave merr fund, 4.3 milionë kartela digjitalizohen

Sep 3
1 min read

Për vite me radhë, kartelat fizike të pronësisë kanë qenë një nga pengesat kryesore në procesin e administrimit dhe formalizimit të pronave në Shqipëri. Kërkimi manual i dokumenteve, regjistrat fizikë dhe nevoja për konsultimin e tyre kanë sjellë vonesa, procedura të zgjatura dhe risk për gabime në përpunimin e të dhënave. Kjo situatë pritet të ndryshojë pas përfundimit të digjitalizimit të rreth 4.3 milionë kartelave të pasurisë në të gjithë vendin. Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se të gjitha kartelat tashmë administrohen në format elektronik dhe janë integruar në sistemin kadastral. Në këtë mënyrë, specialistët nuk kanë më nevojë t’u drejtohen regjistrave fizikë për të verifikuar të dhënat e një pasurie. Digjitalizimi synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e trajtimit të aplikimeve, duke eliminuar një pjesë të procedurave manuale dhe duke ulur mundësinë e gabimeve gjatë përpunimit të të dhënave. Ndërkohë, çdo regjistrim apo transaksion i ri mbi një pasuri pasqyrohet në sistemin elektronik, duke krijuar një gjurmë më të qartë të historikut të pronës dhe duke rritur transparencën dhe sigurinë juridike. Përfundimi i këtij procesi shihet si një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e një prej problematikave të trashëguara të sistemit të pronësisë në Shqipëri. Kalimi nga kartelat fizike tek regjistri elektronik krijon gjithashtu bazën për shërbime më të shpejta dhe më të automatizuara për qytetarët dhe bizneset.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page