top of page

Një klikim për të kontrolluar qeverinë? “Pasqyrë Albania”, platforma e re e transparencës

22 hours ago
2 min read

Qytetarët pritet të kenë së shpejti në dispozicion një platformë të re digjitale, përmes së cilës do të mund të informohen mbi investimet publike, të monitorojnë ecurinë e aplikimeve dhe ankesave të tyre, si dhe të japin mendimin për vendimmarrjen publike. “Pasqyrë Albania” është projekti i ri i qeverisë, i cili synon të përqendrojë në një hapësirë të vetme informacionin dhe shërbimet që lidhen me marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve publike. Platforma u prezantua nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me ekspertët e AKSHI-t, të cilët po punojnë për konfigurimin e saj. Sipas Ramës, ideja për këtë nismë vjen pas reflektimit mbi protestat e fillimqershorit, me synimin për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar komunikimin mes administratës dhe qytetarëve. Funksionimi i platformës do të mbështetet në katër shtylla. Përmes rubrikës “Shih”, qytetarët do të kenë mundësi të kontrollojnë investimet publike në zonën ku banojnë, të ndjekin ecurinë e projekteve dhe të njihen me prioritetet e qeverisë. Rubrika “Kupto” do të ofrojë informacion mbi vendimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë, duke përfshirë edhe një asistent virtual që do të ndihmojë në përmbledhjen dhe kuptimin e vendimmarrjes vendore. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe ndjekjes së kërkesave administrative. Duke u identifikuar përmes llogarisë në e-Albania, qytetarët do të mund të kontrollojnë se në cilën fazë ndodhet aplikimi i tyre dhe cili institucion është përgjegjës për trajtimin e tij. Nëse afatet ligjore për marrjen e përgjigjes tejkalohen, platforma do të dërgojë njoftim me SMS, ndërsa qytetarët do të mund të depozitojnë një ankesë, e cila do të pajiset me një kod unik për të mundësuar gjurmimin e saj deri në përfundim të procesit. Përmes shtyllës “Bashkëvendos”, qytetarët do të kenë mundësi të përfshihen në konsultimet publike dhe të shprehin qëndrimet e tyre për projektakte dhe nisma të ndryshme. Një tjetër element i platformës është “Flamingo Mirror”, një hapësirë e dedikuar për projektet madhore dhe çështjet me interes të lartë publik, ku synohet të ofrohet informacion i verifikuar, të rritet transparenca dhe të luftohet dizinformimi. Platforma do të mund të përdoret si nga kompjuteri, ashtu edhe nga telefoni celular, përmes faqes zyrtare dhe aplikacioneve për Android dhe iOS.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page