top of page

Nga vonesat te përplasja mes aksionerëve, pse qeveria kërkon ndërprerjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës

  • 4 days ago
  • 2 min read


Qeveria ka nisur procedurën për ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Vendimi është marrë pas një sërë problemesh që, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë penguar përfundimin e projektit dhe nisjen e operimit brenda afateve të përcaktuara në marrëveshje.

Në njoftimin zyrtar drejtuar shoqërisë koncesionare, ortakëve të saj dhe Bankës Kombëtare Tregtare, ministria rendit disa arsye që, sipas saj, përbëjnë shkelje të detyrimeve kontraktore.


Një nga arsyet kryesore lidhet me mosrespektimin e datës së përcaktuar për nisjen e aktivitetit të aeroportit.

Sipas kontratës, data e planifikuar për fillimin e operimit ishte 20 shkurt 2026. Marrëveshja i jepte koncesionarit edhe një periudhë shtesë prej 90 ditësh, në rast se aeroporti nuk do të ishte gati brenda afatit fillestar.

Edhe kjo periudhë kaloi pa nisur aktiviteti.


Për këtë arsye, ministria vlerëson se janë plotësuar kushtet kontraktore që i japin shtetit të drejtën për të kërkuar përfundimin e parakohshëm të marrëveshjes. Një tjetër problem i evidentuar nga qeveria është mungesa e një date të qëndrueshme për përfundimin e punimeve.


Sipas autoriteteve, kompania fillimisht ka parashikuar që aeroporti të përfundonte në gusht të vitit 2026. Më pas, afati është zhvendosur në 1 mars 2027. Në komunikimet e fundit, sipas ministrisë, nuk është dhënë më një datë konkrete. Në vend të saj është përmendur një periudhë rreth tetë mujore për përfundimin e punimeve, e cila do të varej nga angazhimi i plotë i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve të nevojshme.

Për qeverinë, ndryshimet e vazhdueshme tregojnë se shoqëria koncesionare nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë një afat të sigurt për vënien në punë të aeroportit.

Ministria ngre shqetësime edhe për konfliktin mes aksionerëve të shoqërisë që ka marrë përsipër ndërtimin dhe operimin e aeroportit.

Sipas saj, mosmarrëveshjet mes palëve janë përshkallëzuar dhe kanë ndikuar në funksionimin e kompanisë. Qeveria thotë se u ka kërkuar ortakëve të gjenin një zgjidhje në mënyrë që konflikti i tyre të mos pengonte zbatimin e kontratës. Megjithatë, sipas autoriteteve, kjo nuk ka ndodhur.


Para se të ndërmerrte hapin për zgjidhjen e kontratës, Ministria e Infrastrukturës thotë se ka kërkuar një zgjidhje përmes dialogut me kompaninë dhe aksionerët.

Sipas saj, janë marrë në konsideratë mundësitë për të shmangur ndërprerjen e marrëveshjes dhe për të garantuar vazhdimin e projektit.

Por ndryshimi i vazhdueshëm i afateve, mungesa e një plani të qartë për përfundimin e punimeve dhe konflikti mes ortakëve kanë bërë që qeveria të arrijë në përfundimin se projekti nuk mund të vijojë në kushtet aktuale.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page