Nga qiramarrës në pronar, si synon qeveria të ndihmojë familjet pa banesë

Familjet që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë mund të përfitojnë nga një skemë e re, ku pagesat e qirasë mund të llogariten pjesërisht në çmimin e blerjes së shtëpisë. Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e banesave private të pabanuara për strehim social. Mungesa e mundësive financiare për të blerë një banesë mund të marrë një alternativë të re përmes një skeme që synon ta kthejë qiranë në një hap drejt pronësisë. Qeveria propozon ndryshime në ligjin për strehimin social, duke përfshirë programin e “qirasë me të drejtë blerjeje”, përmes të cilit familjet mund të marrin me qira një banesë dhe, sipas kushteve që do të përcaktohen, një pjesë e pagesave të kryera të llogaritet në çmimin e blerjes.
Skema synon t’u krijojë një mundësi strehimi personave dhe familjeve që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të blerë menjëherë një shtëpi në tregun e lirë. Në vend që qiraja të mbetet vetëm një shpenzim mujor, ajo mund të shërbejë pjesërisht si një mekanizëm për të fituar të drejtën e blerjes së banesës. Programi parashikohet të zbatohet përmes banesave që janë në fondin e Agjencisë Kombëtare të Trajtimit të Strehimit Social. Megjithatë, projektligji nuk do të thotë se çdo qiramarrës do të fitojë automatikisht të drejtën për ta blerë banesën. Kushtet konkrete, kategoritë përfituese dhe mënyra e zbatimit do të përcaktohen sipas akteve përkatëse.
Ndryshimet e propozuara synojnë të zgjerojnë mundësitë e strehimit për disa kategori, përfshirë familjet me të ardhura të ulëta, familjet me të ardhura të mesme që nuk mund të përballojnë çmimet e tregut, të rinjtë në fillimet e karrierës dhe çiftet e reja. Në kategoritë e parashikuara përfshihen gjithashtu familjet me një prind, familjet me fëmijë në ngarkim, punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët që kthehen nga emigracioni dhe plotësojnë kriteret.
Një tjetër element i projektligjit është përfshirja e banesave private të pabanuara në programet e strehimit social dhe të përballueshëm. Sipas propozimit, AKTSS dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të identifikojnë banesa private dhe të lidhin marrëveshje me pronarët për t’i përdorur ato për strehim. Marrëveshjet mund të parashikojnë qira afatmesme ose afatgjata, garanci për pagesën e qirasë, si dhe mbështetje për një pjesë të kostove të mirëmbajtjes apo rikonstruksionit.






Comments