top of page

Nga bebet, te pensionet dhe rrugët, çfarë premton buxheti 2027 për qytetarët

Oct 8
2 min read

Buxheti i shtetit për vitin 2027 do të jetë mbi 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej më shumë se 1.1 miliardë eurosh krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026. Rritja e arkës së shtetit pritet të reflektohet edhe në politikat sociale, me qeverinë që ka vendosur në fokus mbështetjen e familjeve, fëmijëve me aftësi ndryshe, pensionistëve dhe nënave të reja. Por çfarë do të ndryshojë konkretisht për qytetarët?


Një prej ndryshimeve më të rëndësishme është rishikimi i skemës së bonusit të bebeve. Skema, e cila është zbatuar që prej vitit 2019, pritet të ndryshojë për herë të parë në mënyrën e financimit. Në vend të një mbështetjeje të përqendruar në momentin e lindjes, qeveria synon të ofrojë një pagesë mujore dhe të shtrirë në kohë. Sipas draftit, mbështetja për familjet me fëmijë do të variojë nga 3 mijë deri në 6 mijë euro, në varësi të kategorisë së fëmijës.


Një tjetër masë sociale lidhet me fëmijët me aftësi ndryshe. Draftbuxheti parashikon dyfishimin e pagesave për këtë kategori, duke rritur mbështetjen financiare për familjet që përballen me kosto më të larta të kujdesit. Në të njëjtën kohë, shteti do të marrë përsipër pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve.


Pensionistët janë një tjetër prej kategorive që pritet të përfitojnë nga politikat e reja të buxhetit. Rritja e fondeve për mbrojtjen sociale krijon hapësirë për masa të reja mbështetëse, ndërsa detajet konkrete për pensionet dhe mënyrën e indeksimit apo rritjes së tyre pritet të përcaktohen në vijim të procesit të miratimit të buxhetit.

Një tjetër pyetje e madhe për vitin 2027 lidhet me pagat. Buxheti më i madh krijon hapësirë për rritje të mëtejshme të pagave në sektorin publik, por nga drafti paraprak nuk janë ende të qarta të gjitha kategoritë dhe masat konkrete. Një pjesë e rëndësishme e buxhetit do të vazhdojë të shkojë për investimet publike.

Mes projekteve që do të financohen janë loti III i bypass-it të Tiranës, rruga lidhëse Tiranë-Elbasan me Korridorin VIII dhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page