top of page

NAREA publikon vrojtimin kombëtar: Vetëm 4 në 10 agjentë janë plotësisht të formalizuar

Sep 21
2 min read



Vetëm rreth 4 në 10 agjentë të pasurive të paluajtshme që veprojnë në treg vlerësohen si plotësisht të formalizuar, ndërsa rreth 3 në 10 konsiderohen pjesërisht të formalizuar dhe po aq operojnë në mënyrë informale. Të dhënat dalin nga Vrojtimi Bazë 2026 i Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA), matja e parë sistematike kombëtare për këtë profesion. Sipas vrojtimit, rreth 9 në 10 agjenci të përfaqësuara në kampion deklarojnë se janë të licencuara, ndërsa profesionistët e anketuar e vlerësojnë nivelin real të formalizimit të tregut me vetëm 2.4 pikë nga 5.


Vrojtimi është zhvilluar nga 16 korriku deri më 7 gusht 2026 dhe ka prodhuar 140 pyetësorë të plotësuar plotësisht, nga 495 hyrje në instrument. Analiza është përqendruar te profili i profesionit, informaliteti, vetërregullimi, kuadri ligjor, integriteti dhe ekspozimi ndaj korrupsionit, si dhe pajtueshmëria me detyrimet AML/CFT.


Një nga problemet kryesore të evidentuara është prania e operatorëve të palicencuar. Sipas të dhënave, pothuajse të gjithë profesionistët e anketuar përballen me operatorë të tillë, ndërsa gati gjysma thonë se i hasin të paktën një herë në muaj. Konkurrenca e pandershme identifikohet nga rreth 3 në 4 të anketuar si shkaku kryesor i informalitetit. Sipas NAREA-s, operatorët informalë shmangin kostot që lidhen me licencimin, tatimet, dokumentimin, trajnimin dhe pajtueshmërinë, duke krijuar disavantazh për subjektet që operojnë në mënyrë të rregullt.


Vrojtimi tregon gjithashtu se njohja e kuadrit ligjor nuk shoqërohet gjithmonë me zbatimin e tij në praktikë. Rreth 3 në 4 profesionistë deklarojnë se njohin Ligjin nr. 9/2022, por vetëm rreth 3 në 10 e konsiderojnë atë realisht të zbatueshëm. Gati 6 në 10 të anketuar konstatojnë njëfarë përmirësimi gjatë viteve të fundit, ndërsa vetëm rreth 2 në 10 shohin ndryshime të qarta dhe të prekshme. Në përgjigjet e hapura, mungesa e zbatimit, kontrollit dhe sanksioneve renditet ndër shqetësimet kryesore.


Sipas NAREA-s, ligji ka ndikuar pozitivisht në integritetin e profesionit, por ndikimi i tij në formalizimin real të tregut mbetet më i kufizuar. “Ky raport nuk është kundër reformës; është një thirrje për ta çuar reformën deri në fund. Ligji i miratuar ka vendosur standardin, por tregu ende nuk funksionon plotësisht sipas atij standardi”, deklaroi Dritan Caka, kryetar i Bordit të NAREA-s.


Sektori kërkon gjithashtu forcimin e kontrolleve ndaj operatorëve informalë. Rreth 6 në 10 profesionistë të anketuar mbështesin forcimin e këtyre kontrolleve, por kërkojnë që procesi të shoqërohet me transparencë, standardizim dhe identifikim të qartë të operatorëve të ligjshëm.


Ndër masat e propozuara janë krijimi i një regjistri publik online të ndërmjetësve dhe agjencive të licencuara, trajnime të detyrueshme dhe periodike, kritere më të qarta për licencimin, kontrolle më efektive ndaj operatorëve të palicencuar dhe një kod etik të detyrueshëm për profesionistët. NAREA thekson se mbështetja për vetërregullimin profesional është e lartë. Pothuajse të gjithë të anketuarit mbështesin një kod etik të detyrueshëm, ndërsa rreth 7 në 10 shprehen të gatshëm për krijimin e një Dhome Kombëtare të Profesionit të Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme.


Në kuadër të vrojtimit, NAREA ka paraqitur edhe një paketë prej 15 rekomandimesh për reforma, të ndara në pesë fusha: pajtueshmëria dhe integriteti profesional, vetërregullimi dhe standardet etike, formimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm, transparenca dhe regjistrat publikë, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor.




Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page