top of page

Nafta "ndez" inflacionin, çmimet rriten në disa sektorë

Sep 8
2 min read

Inflacioni në Shqipëri u ngadalësua lehtë gjatë muajit gusht, por vijon të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja vjetore e çmimeve arriti në 3.2%, nga 3.4% që ishte në korrik. Ky është muaji i tretë radhazi që inflacioni qëndron mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në grupin “Transporti”, ku çmimet u rritën me 12%. Aktualisht, në tregun vendas litri i naftës kushton 219 lekë, ndërsa pyetja për rikthimin e Bordit të Transparencës është ende pa përgjigje. Nafta është lëndë e parë, pjesë e zinxhirit për një sërë sektorësh, për aktivitetin ekonomik të disa bizneseve dhe për pasojë, një naftë më e shtrenjtë pasohet me çmime e shërbime të tjera më të shtrenjta.


Pas tij renditen:

• Argëtim, sport dhe kulturë: +5.4%

• Sigurime dhe shërbime financiare: +4.6%

• Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera: +3.7%

• Ushqime dhe pije joalkoolike: +2.8%

• Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë: +2.8%

• Kujdes personal dhe mallra e shërbime të ndryshme: +2.8%

• Pije alkoolike dhe duhan: +2.4%


Në krahun tjetër, disa kategori shënuan ulje çmimesh. Veshjet dhe këpucët u liruan me 3.2%, ndërsa informacioni dhe komunikimi me 1%. Ushqimet japin kontributin më të madh në inflacion. Edhe pse transporti pati rritjen më të fortë të çmimeve, ndikimin më të madh në normën e përgjithshme të inflacionit e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, me +0.95 pikë përqindjeje. Transporti kontribuoi me +0.79 pikë përqindjeje, ndërsa grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” shtoi 0.76 pikë përqindjeje.


Kontribute të tjera pozitive erdhën nga:

• mobiljet dhe mirëmbajtja e shtëpisë: +0.19 pikë përqindjeje;

• restorantet dhe shërbimet e akomodimit: +0.13 pikë përqindjeje;

• pijet alkoolike dhe duhani: +0.12 pikë përqindjeje;

• kujdesi personal dhe mallrat e shërbimet e ndryshme: +0.12 pikë përqindjeje;

• argëtimi, sporti dhe kultura: +0.11 pikë përqindjeje;

• arsimi: +0.07 pikë përqindjeje;

• sigurimet dhe shërbimet financiare: +0.07 pikë përqindjeje;

• shëndeti: +0.06 pikë përqindjeje.


Në krahun e kundërt, veshjet dhe këpucët ndikuan në uljen e inflacionit me -0.12 pikë përqindjeje, ndërsa informacioni dhe komunikimi me -0.04 pikë përqindjeje.


Pavarësisht presioneve të reja mbi çmimet, Banka e Shqipërisë vendosi në mbledhjen e saj të fillimit të gushtit të mos ndryshojë normën bazë të interesit. Ajo mbetet në 2.5%. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se rritja e inflacionit është ndikuar nga efektet direkte dhe indirekte të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, si edhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra dhe shërbime. Sipas tij, inflacioni vijon të jetë i kontrolluar dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në afatin e shkurtër pritet të qëndrojë pranë, por mbi objektiv, përpara se të ulet gradualisht drejt 3% në periudhën afatmesme. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore, goditja që vjen nga tregjet ndërkombëtare pritet të ketë karakter të përkohshëm në ekonominë shqiptare.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page