Nafta arrin rekord, 229 lekë për litër/ Shqipëria pa asnjë masë mbrojtëse për konsumatorët

Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur me 10 lekë për litër vetëm gjatë fundjavës së kaluar, duke arritur në 229 lekë për litër. Ky është një nivel rekord për tregun shqiptar dhe një nga çmimet më të larta të karburantit në rajon dhe më gjerë. Ndërsa konsumatorët shqiptarë po përballen me një tjetër rritje të fortë të kostos së karburantit, vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa fiskale për të amortizuar ndikimin e rritjes së çmimeve dhe për të mos rënduar më tej buxhetet e familjeve dhe kostot e bizneseve. Në Shqipëri, ndërkohë, nuk është aktualisht në fuqi asnjë masë e ngjashme. Madje, edhe mekanizmi i fundit që parashikonte ndërhyrjen përmes akcizës tashmë ka humbur fuqinë ligjore. Akti Normativ parashikonte uljen me 20% të akcizës në rast se çmimi i naftës kalonte pragun prej 220 lekësh për litër. Kjo e vendos Shqipërinë përballë një situate të veçantë në rajon: çmimet e karburanteve rriten në nivele rekord, ndërsa mungon një mekanizëm aktiv fiskal për të mbrojtur konsumatorët nga goditja e çmimeve.Në vendet fqinje, ndërhyrjet janë bërë kryesisht përmes uljes së akcizës ose taksave të tjera mbi karburantet. Qëllimi është të kufizohet efekti i rritjes së çmimit ndërkombëtar të naftës në çmimin final që paguan konsumatori. Në Shqipëri, përkundrazi, barra fiskale mbi karburantin mbetet e lartë. Përveç akcizës dhe TVSH-së, çmimi përfshin edhe taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit. Me naftën që tashmë kushton 229 lekë për litër, rritja nuk prek vetëm drejtuesit e automjeteve. Karburanti është një kosto bazë për transportin, prodhimin, bujqësinë dhe një pjesë të madhe të shërbimeve, ndaj shtrenjtimi i tij mund të përcillet në zinxhir edhe te çmimet e mallrave dhe shërbimeve.






Comments