top of page

Marrëveshja për çmimet në supermarkete, eksperti: Duhet të kontrollohen importuesit

Oct 13
2 min read

Nisma e qeverisë për fiksimin e çmimeve të 212 produkteve në pesë rrjete supermarketesh për tre muaj synon të rrisë transparencën në treg, por sipas ekspertit të ekonomisë Mateo Spaho, kjo masë nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve për konsumatorët. Spaho tha në "Vizion Plus" se marrëveshja mund të ndihmojë në krahasimin e çmimeve dhe nxitjen e konkurrencës, por theksoi se mbulimi i vetëm pesë rrjeteve të supermarketeve nuk përfshin të gjithë tregun e shitjes me pakicë.


Sipas tij, për të kuptuar realisht se ku krijohen dhe si ndryshojnë çmimet, kontrollet duhet të shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, duke nisur nga importuesit e mëdhenj. “Duhet të kontrollohen importuesit, jo vetëm tregtarët”, është thelbi i shqetësimit të ekspertit, i cili argumenton se çmimi përfundimtar nuk përcaktohet vetëm nga supermarketi, por ndikohet edhe nga kostot e prodhimit, transportit, importit dhe taksave. Spaho ngriti gjithashtu çështjen e forcimit të lekut ndaj euros. Sipas tij, zhvlerësimi i euros duhet të kishte ndikuar në uljen e kostove të mallrave të importuara në lekë, por ky efekt nuk është reflektuar sa duhet te konsumatorët. Ai sugjeroi që institucionet të hetojnë nëse përfitimet nga kursi i këmbimit janë përcjellë te çmimet përfundimtare apo kanë mbetur në hallkat e tjera të tregut.


Eksperti solli në vëmendje edhe ecurinë e çmimeve në Shqipëri në raport me Bashkimin Europian. Sipas shifrave që ai përmendi në intervistë, niveli i çmimeve në vend është rritur nga rreth 66% e mesatares europiane në 73–74% gjatë tre-katër viteve të fundit.


Një tjetër problem që mund të kufizojë efektin e nismës lidhet me aksesin në informacion. Jo të gjithë konsumatorët, veçanërisht të moshuarit dhe pensionistët, kanë mundësi të përdorin lehtësisht aplikacionet apo internetin për të krahasuar çmimet. Për këtë arsye, transparenca duhet të shoqërohet me informacion të aksesueshëm për të gjithë. Spaho përmendi edhe një nismë të ngjashme në Itali, ku, sipas tij, përfshirja e prodhuesve dhe shpërndarësve të mëdhenj ndihmoi në mbajtjen nën kontroll të inflacionit të shportës së produkteve bazë.


"Vitin e kaluar Giorgia Meloni mori një nismë të ngjashme me shpërndarësit e mëdhenj, pra me prodhuesit dhe shpërndarësit e mëdhenj. Ne kemi importues të mëdhenj në këtë sens sepse në ekonominë tonë kemi pak fabrika që merren me industrinë e lehtë, të themi kështu, me transformimin e produkteve bujqësore, dhe natyrisht në Itali kjo pati një farë efekti në ruajtjen e inflacionit, sidomos për produktet e shportës në nivele, pak më të pranueshme, dhe së paku kuptojmë në mënyrë më të drejtpërdrejtë se nëse dikush përfitonte, kush përfitonte. Sepse duhet të kuptojmë që ka hallka të ndryshme, është prodhuesi kryesor dhe fillestar, është shpenzimi i transportit, është importuesi, janë taksat në Shqipëri, pra duhet kuptuar kush përfiton nga rritja e çmimeve dhe kush janë humbësit neto. Natyrisht humbësit është e thjeshtë t’i llogarisim sepse janë qytetarët, por përfituesit jo gjithmonë e kuptojmë. Në rastin konkret në vitet e fundit përfituesit kryesorë kanë qenë importuesit, të cilët duhet të ndiqnin kursin e këmbimit dhe një lloj norme të caktuar fitimi, ndërkohë që kjo normë është rritur dhe duket edhe në bilancet e disa supermarketeve të cilat kanë dyfishuar ose trefishuar rrjetin e tyre. Natyrisht nëse do të kishin fitime normale kjo rritje do të kishte qenë më e ngadaltë", tha Spaho.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page