Lajmi i shumëpritur për fermerët! Nis sot pagesat e Skemës Kombëtare

Nisin sot pagesat për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026. Pagesat do të kryhen fillimisht për ata aplikues që kanë përfunduar me sukses kontrollet administrative dhe verifikimet në terren dhe që janë shpallur fitues pasi kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara. Lajmin e ka bërë të ditur Ardita Kuçi, e cila deklaroi se procesi i pagesave ka hyrë tashmë në fazën e parë. “Sot fillojnë pagesat për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.
Pagesat do të kryhen në këstin e parë për të gjithë ata fermerë që kanë kaluar kontrollin administrativ si edhe kontrollin në terren dhe janë shpallur fitues pasi kanë përmbushur të gjitha kriteret”, u shpreh Kuçi. Sipas saj, paralelisht me nisjen e pagesave për përfituesit që kanë kaluar procesin e verifikimit, vijon puna për kontrollin administrativ të aplikimeve për masat e investimeve.
“Në të njëjtën kohë dua t'ju bëj me dije se vijojmë kontrollin administrativ të masave të investimeve dhe së shpejti do të lidhim kontratat”, deklaroi Kuçi. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka regjistruar 42,728 aplikime, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Aplikimet për skemën u zhvilluan përmes portalit e-Albania nga 25 maji deri më 6 korrik 2026.
Për vitin 2026, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 5.2 miliardë lekësh për mbështetjen e sektorit bujqësor. Skema përfshin masa të mbështetjes direkte për fermerët, si edhe masa për investime. Një risi e këtij viti është edhe përfshirja e pagesave direkte për sipërfaqe të mbjella. Për fermat mbi 3 hektarë parashikohet mbështetje prej 10 mijë lekësh për çdo hektar. Në total, Skema Kombëtare 2026 përfshin 9 masa të mbështetjes direkte dhe 3 masa investimi, me synim rritjen e mbështetjes financiare për fermerët, nxitjen e prodhimit dhe modernizimin e fermave.






Comments