Kujdes, bizneset në Kinë mund t'ju mashtrojnë! Çfarë duhet të kontrolloni para se të jepni paratë

Bizneset shqiptare që zhvillojnë ose planifikojnë të zhvillojnë marrëdhënie tregtare me kompani në Kinë duhet të tregojnë kujdes të shtuar përpara se të kryejnë pagesa apo të marrin angazhime financiare.
AIDA dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë përcjellë një paralajmërim për operatorët ekonomikë shqiptarë, duke vënë në fokus rritjen e rasteve problematike në marrëdhëniet tregtare me partnerë të huaj dhe nevojën për verifikim të plotë përpara lidhjes së marrëveshjeve.
8 kontrolle që bizneset duhet të kryejnë
Përpara çdo angazhimi financiar me një partner në Kinë, bizneset këshillohen të ndjekin disa hapa bazë verifikimi.
1. Verifikoni kompaninë
Hapi i parë është konfirmimi i ekzistencës së kompanisë dhe statusit të saj ligjor. Bizneset duhet të sigurohen se partneri me të cilin po negociojnë është një subjekt real dhe aktiv.
2. Kontrolloni personin që negocion
Duhet të verifikohet edhe identiteti i personit që komunikon, negocion apo firmos dokumentet në emër të kompanisë. Një kontakt online nuk është domosdoshmërisht përfaqësues i autorizuar i subjektit.
3. Kontrolloni të dhënat zyrtare dhe bankare
Adresa e regjistrimit, licenca dhe të dhënat bankare duhet të kontrollohen me kujdes. Çdo mospërputhje mes dokumenteve të kompanisë, komunikimit tregtar dhe të dhënave të pagesës duhet të konsiderohet një sinjal alarmi.
4. Kërkoni kontrata të qarta
Për marrëveshje me vlera të konsiderueshme, këshillohet që kushtet e kontratës të jenë të qarta dhe të kontrollohen nga një profesionist i fushës juridike përpara nënshkrimit.
5. Mos kryeni parapagime të plota pa garanci
Një nga rreziqet kryesore lidhet me pagesat e plota përpara se të sigurohen mallrat apo shërbimet. Bizneset këshillohen të shmangin parapagimet e plota kur nuk ekzistojnë garanci të mjaftueshme.
6. Përdorni mekanizma më të sigurt pagese
Kur është e mundur, rekomandohet përdorimi i instrumenteve të pagesës dhe garancive bankare që mund të ulin ekspozimin ndaj rrezikut financiar.
7. Kujdes me ofertat vetëm online
Bizneset duhet të tregojnë vëmendje të veçantë kur një ofertë vjen vetëm përmes internetit ose rrjeteve sociale, pa mundësi të mjaftueshme për të verifikuar subjektin dhe përfaqësuesit e tij.
8. Ruani të gjithë dokumentacionin
Kontratat, faturat, komunikimet, dokumentet e kompanisë dhe provat e transfertave duhet të ruhen. Dokumentacioni i plotë është i rëndësishëm jo vetëm për administrimin e marrëdhënies tregtare, por edhe në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje.
Në një marrëdhënie tregtare ndërkombëtare, një ofertë me çmim të favorshëm apo një partner i gjetur në internet nuk duhet të mjaftojë për të kryer një pagesë. Verifikimi i identitetit të kompanisë, autorizimit të personit që negocion, dokumenteve ligjore dhe të dhënave bankare duhet të kryhet përpara çdo angazhimi financiar, veçanërisht kur bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme.






Comments