Kujdes! Autostrada Tiranë-Durrës do të bllokohet sonte. Si mund të lëvizni

Qarkullimi në aksin kryesor Tiranë-Durrës dhe Durrës-Tiranë do të kufizohet përkohësisht gjatë tre netëve, duke nisur nga sot, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit për zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III.
ARRSH njofton se sot, nesër dhe më 3 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për të garantuar sigurinë gjatë punimeve, korsitë e lëvizjes në të dyja drejtimet do të bllokohen përkohësisht dhe trafiku do të devijohet sipas një skeme të përcaktuar.
Ja si do të devijohet trafiku:
Tiranë–Durrës:
Mjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda:
Kamionët dhe mjetet e tjera të rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar lëvizjen nëpërmjet rrugës dytësore.
Durrës–Tiranë:
Qarkullimi do të devijohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë, më pas në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku mjetet do të rikthehen në autostradë.
Rinas, Shkodër dhe Kosovë:
Mjetet që kanë këto destinacione do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më pas në drejtimet përkatëse.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës që të tregojnë kujdes dhe të ndjekin sinjalistikën e përkohshme, si dhe udhëzimet e personelit që do të menaxhojë trafikun.
Drejtuesve të mjeteve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orëve të punimeve.






Comments