top of page

Kujdes! 60 ditë kohë për të deklaruar ndërtimet pa leje, më pas i konfiskon shteti

Oct 8
2 min read


Ndërtimet pa leje të konstatuara nga bashkitë apo institucione të tjera administrative do të përfshihen në një skemë të re administrimi, me pronarët që do të kenë një afat 60-ditor për vetëdeklarimin e tyre dhe për të përfituar nga e drejta e parablerjes. Afati 60-ditor nuk ka nisur ende. Ai do të fillojë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, sipas shpjegimeve të dhëna gjatë shqyrtimit të projektligjit në Kuvend. Nëse një ndërtim i konstatuar nuk vetëdeklarohet brenda këtij afati, pasuria do t'i nënshtrohet procedurave të konfiskimit. Ndryshimi vjen përmes paketës së re ligjore që zgjeron edhe kompetencat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, për administrimin e pasurive të konfiskuara si ndërtime pa leje.


Këshilli i Ministrave miratoi në shtator projektligjin për ndryshime në ligjin nr. 66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social”. Një prej ndryshimeve kryesore është përcaktimi i AAPSK-së si organi përgjegjës për administrimin e objekteve të konfiskuara. Sipas projektligjit, AAPSK-ja do të administrojë objektet e konfiskuara për nevoja të strehimit social ose për interes publik, ndërsa do të ketë gjithashtu përgjegjësinë për administrimin e një fondi të veçantë të dedikuar për ndërtimet pa leje. Ky fond do të përdoret për veprimtarinë dhe zhvillimin e objekteve pa leje që janë konfiskuar dhe kanë kaluar në administrim të Agjencisë.


Projektligji parashikon që AAPSK-ja të marrë në dorëzim, regjistrojë, inventarizojë dhe ruajë objektet e konfiskuara deri në përcaktimin e mënyrës së zhvillimit të tyre. Pas kësaj, Agjencia do të vlerësojë destinacionin e objektit, përfshirë mundësinë e përdorimit për nevoja publike apo sociale. Objekti mund të përfundohet, përshtatet ose përmirësohet duke përdorur fondin e posaçëm për ndërtimet pa leje ose, sipas rastit, buxhetin e shtetit. Projektligji i jep gjithashtu AAPSK-së mundësinë që, pasi të jetë përgatitur dokumentacioni teknik dhe financiar, të propozojë kalimin e objektit në fazën e shitjes.


Pra, pas konfiskimit, pasuria nuk do të mbetet domosdoshmërisht një objekt i mbyllur apo i papërdorur. Ajo mund të administrohet, përshtatet për përdorim publik ose social dhe, në rastet kur nuk nevojitet për këto qëllime, të kalojë në procedurë shitjeje. Ndryshimet e propozuara në kuadrin më të gjerë ligjor zgjerojnë fushën e veprimit të AAPSK-së edhe te pasuritë e sekuestruara apo konfiskuara nga organet administrative të pushtetit qendror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në projektligjin e miratuar në korrik për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara përcaktohet shprehimisht se AAPSK-ja do të administrojë edhe pasuritë e konfiskuara nga organet administrative qendrore apo vendore.


Sipas shpjegimeve të kryeadministratores së AAPSK-së, Risena Xhaja, një ditë më parë në komision, qytetarët që kanë ndërtime pa leje të konstatuara nga bashkitë apo institucione të tjera administrative do të kenë 60 ditë kohë, pas miratimit të ligjit, për t'i vetëdeklaruar. Vetëdeklarimi lidhet me mundësinë për të përfituar nga e drejta e parablerjes. Nëse ndërtimi është konstatuar tashmë nga institucionet dhe nuk vetëdeklarohet brenda 60 ditëve, do të vijojë procedura e konfiskimit. Një prej qëllimeve kryesore të ligjit është që objektet e konfiskuara të mos mbeten pa përdorim. Projektligji përcakton se ato mund të përdoren për interesa publike dhe masa sociale, përfshirë strehimin social.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page