Ku është më lirë? Qeveria nis kontrollin e çmimeve në tregje, ja si do të funksionojë

Konsumatorët shqiptarë do të kenë në dispozicion një mekanizëm të ri për monitorimin dhe transparencën e çmimeve të produkteve bazë në Shqipëri. Zëvendësministri Enkelejd Musabelliu tha se fillimisht do të monitorohen 10 produkte bazë dhe çmimet e tyre do të raportohen nga rrjetet kryesore të supermarketeve në vend.
Musabelliu pranoi se niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri mbetet një shqetësim, veçanërisht në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Ne si ministri pranojmë dhe jemi njësoj të shqetësuar si edhe publiku për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në Shqipëri, që është deri diku i lartë në krahasim me fuqinë blerëse të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Sipas tij, në kushtet e një ekonomie të lirë tregu, shteti nuk mund të përcaktojë drejtpërdrejt çmimin e një produkti apo shërbimi. Çmimi final përcaktohet nga ndërveprimi mes konkurrencës, kërkesës dhe ofertës.
Megjithatë, qeveria synon të rrisë transparencën dhe të kuptojë se në cilën hallkë të zinxhirit të furnizimit krijohen rritjet e çmimeve. Musabelliu bëri të ditur se Shqipëria ka studiuar praktikat e disa vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë Hungarinë, Spanjën, Portugalinë dhe Italinë, ku funksionojnë platforma që krahasojnë çmimet e produkteve në pika të ndryshme tregtimi. Qëllimi është që konsumatori të ketë më shumë informacion dhe të mund të shohë se ku një produkt i caktuar shitet me çmim më të ulët.
“Qëllimi është që edhe konsumatori të jetë më i informuar se cila pikë e tregtimit ka çmime më të ulëta, por edhe publiku më i gjerë të jetë i njohur dhe të ketë transparencë për nivelin e përgjithshëm të çmimeve për produktet bazë të shportës. Ne do të përpiqemi të analizojmë të gjithë zinxhirin e një produkti, që nga dogana deri në qesen e një familjari apo nga fermeri te raftet e supermarketit”, deklaroi ai.
Megjithatë, zëvendësministri theksoi se shteti nuk mund të përcaktojë se cili është marzhi “i duhur” i fitimit për çdo subjekt privat. Synimi, sipas tij, është të identifikohet se në cilën hallkë të zinxhirit ndodh rritja e çmimit dhe më pas të shihet se çfarë masash ligjore apo politikash mund të ndërmarrë qeveria.






Comments