top of page

Ku ikin paratë e shqiptarëve? Ushqimet marrin gati 40% të buxhetit familjar

Oct 6
2 min read

Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 95.227 lekë në muaj për konsum gjatë vitit 2025, me një rritje prej 2,3% krahasuar me një vit më parë. Por struktura e shpenzimeve tregon se pjesa më e madhe e buxhetit familjar vazhdon të përthithet nga nevojat bazë. Sipas Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare të INSTAT, 39,8% e shpenzimeve mujore të një familjeje shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike. Në vlerë, kjo kategori arrin në 37.859 lekë në muaj për një familje mesatare, e cila përbëhet nga 3,1 persona. Brenda shpenzimeve për ushqim, peshën më të madhe e zënë perimet, me 20,2%, të ndjekura nga mishi dhe nënproduktet e tij me 16,6%, si dhe qumështi, djathi dhe vezët me 15,5%.


Në nivel kombëtar, shpenzimet gjithsej për konsum të familjeve rezidente në Shqipëri vlerësohen në rreth 72,3 miliardë lekë në muaj, duke u rritur me 2,6% krahasuar me vitin 2024. Pas ushqimeve, një nga zërat kryesorë është banesa. Familjet shpenzojnë mesatarisht 9.218 lekë në muaj për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar. Kjo kategori përbën 9,7% të buxhetit familjar. Ndërkohë, shpenzimet për restorante dhe hotele arrijnë në 7.153 lekë në muaj, ose 7,5% të totalit. Transporti përbën 7,2% të shpenzimeve familjare, ndërsa mobilimi, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e banesës zënë 6,6%.


Ndryshimi më i madh vjetor në strukturën e konsumit është regjistruar te argëtimi dhe kultura, ku shpenzimet u rritën me 10% gjatë vitit 2025. Pas këtij grupi renditen shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan, me rritje 5,1%, si dhe transporti, me 5%. Ndërkohë, pesha e shpenzimeve për shëndetin ka zbritur nga 3,8% në 2024 në 3,4% në vitin 2025. Shpenzimet për arsim mbetën në të njëjtën peshë, 3,3% të buxhetit, ndërsa ato për veshje dhe këpucë u ulën lehtë nga 5,1% në 5%.


Diferencat mes qarqeve janë të dukshme. Familjet në qarkun e Tiranës kanë nivelin më të lartë të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 110.904 lekë. Pas Tiranës renditen Korça, me 93.381 lekë, dhe Durrësi, me 91.992 lekë në muaj. Në anën tjetër të renditjes janë Kukësi, ku shpenzimet mesatare mujore për konsum janë 76.009 lekë, dhe Dibra, me 77.027 lekë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page