top of page

Kriptomonedhat me rregulla të reja, zbardhet VKM

Oct 3
2 min read

Tregu i kripto-aseteve në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re rregullimi. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, një nismë e hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që synon të vendosë rregulla më të qarta për aktivitetin e kompanive dhe shërbimeve që lidhen me kriptomonedhat. Projektligji e përafron kuadrin shqiptar me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2023/1114, të njohur si MiCA, e cila vendos rregulla të përbashkëta për tregjet e kripto-aseteve në BE. AMF e kishte publikuar projektligjin për konsultim publik që në dhjetor 2025, me synimin për të krijuar siguri juridike dhe mbrojtje më të lartë për investitorët. Në praktikë, kuadri i ri do të përfshijë një gamë të gjerë aktivitetesh: nga emetimi i kripto-aseteve dhe funksionimi i platformave të tregtimit, deri te ruajtja, këmbimi dhe ofrimi i shërbimeve të lidhura me këto asete.


Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e kërkesave për operatorët që do të ushtrojnë aktivitet në këtë treg. Rregullat parashikojnë standarde për kapitalin, organizimin dhe qeverisjen e kompanive, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe sigurinë kibernetike, ndërsa kuadri synon gjithashtu të forcojë mekanizmat kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave. Sipas AMF-së, përafrimi me MiCA synon të sjellë në Shqipëri kërkesa të qarta për licencimin dhe autorizimin e emetuesve dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe masa mbrojtëse për investitorët. Projektligji nuk i trajton të gjitha kripto-asetet në të njëjtën mënyrë. Parashikohet një ndarje në varësi të karakteristikave dhe nivelit të rrezikut të tyre, duke përcaktuar kërkesa të ndryshme për kategoritë përkatëse.


Kjo ndryshon edhe qasjen ndaj një tregu që deri tani ka funksionuar mbi një kuadër ekzistues për mjetet virtuale. AMF shpjegon se Shqipëria ka aktualisht ligjin nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili mbulon ndër të tjera licencimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të lidhura me tokenët digjitalë dhe monedhat virtuale. Nevoja për forcimin e kontrollit mbi këtë sektor lidhet edhe me rreziqet që shoqërojnë aktivitetin e pakontrolluar. Vetë AMF ka paralajmëruar më herët për platforma të palicencuara që ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet dhe ka theksuar rrezikun e mashtrimeve ndaj investitorëve

.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page