Kredi për shtëpi në 2027, zbardhet skema për çiftet e reja. Kush mund të përfitojë

Programi i ri i strehimit për çiftet dhe familjet e reja pritet të nisë në vitin 2027 me 4 mijë kredi të lehtësuara, por mënyra se si do të funksionojë skema ka disa detaje që përcaktojnë se kush përfiton interesin zero, kush kalon në 3% dhe çfarë ndodh nëse banesa që dëshiron familja kushton më shumë se 60 mijë euro. Detajet janë bërë të ditura nga drejtoresha e Strehimit Social, Dardana Grabova, në një intervistë televizive. Skema parashikon që një pjesë e kredive të kenë interes 0%, ndërsa pjesa tjetër interes 3%. Një element tjetër i rëndësishëm është se përfituesit nuk do të kenë nevojë të sigurojnë parapagimin, pasi shteti parashikon të marrë përsipër garancinë e kërkuar nga banka. Në total janë parashikuar 4 mijë kuota për kredi gjatë vitit 2027. Ato ndahen në mënyrë të barabartë: 2 mijë kredi me interes 0% dhe 2 mijë kredi me interes 3%.
Drejtoresha e Strehimit Social e shpjegon kështu ndarjen: “Aplikimin për këto kuota do ta kenë padyshim në vend të parë familjet e reja, të rinjtë, pasi në fokus është ndërtimi dhe krijimi i familjeve. Por kategoria e 4,000 kredive është ndarë në dy kategori të ndryshme, ku janë 2,000 kuota për kredi me 0% dhe 2,000 kuota me interes 3%.” Kufiri për kredinë me interes zero është 6 milionë lekë të reja, ose rreth 60 mijë euro. Për shumën mbi këtë kufi aplikohet norma 3%. “Që do të thotë që ajo çfarë është me 0% është deri në masën 60,000 euro apo 6 milionë lekë të reja, dhe mbi 6 milionë lekë të reja kalon me interes 3%”, tha Grabova. Po nëse shtëpia kushton më shumë se 60 mijë euro? Ky është një nga detajet më të rëndësishme të skemës, veçanërisht për familjet që kërkojnë banesë në Tiranë, ku çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm.Sipas Grabovës, fakti që kufiri i interesit zero është 60 mijë euro nuk do të thotë se familja përjashtohet nga programi nëse gjen një apartament më të shtrenjtë. Ajo jep edhe shembullin konkret të një banese që kushton 8, 9 apo 10 milionë lekë.
“Në fakt, ne nuk e kemi kufizuar një familje të re apo një të ri të gjejë një banesë vetëm në atë vlerë. Jo, e nëse ti e gjen atë edhe në 8 milionë, 9 milionë, 10 milionë lekë të reja, automatikisht ti do të jesh përfitues, por do të kesh masën e interesit 3%, pra jo zero.”
Një tjetër element që e dallon skemën e re është garancia bankare. Sipas informacionit të dhënë nga drejtuesja e Strehimit Social, të rinjtë nuk do të kenë nevojë të sigurojnë paraprakisht shumën që kërkohet zakonisht nga banka si pjesë e financimit të banesës. Shteti parashikon të marrë përsipër garancinë që kërkohet nga banka, duke synuar të mundësojë marrjen e kredisë edhe për familjet që nuk kanë mundësi të krijojnë paraprakisht kapitalin fillestar.
Meqë numri i aplikimeve pritet të jetë më i lartë se 4 mijë kuotat e disponueshme, përfituesit nuk do të përcaktohen thjesht mbi bazën e aplikimit. Do të përdoret një sistem pikëzimi, ku do të vlerësohen disa elemente të gjendjes së familjes. Grabova paralajmëron se sistemi do të jetë i gjerë. “Pa dyshim që sistemi i pikëzimit do të jetë shumë i zgjeruar, familjet e reja mund të jenë familje të reja me një fëmijë, me dy fëmijë, me tre fëmijë, një nga kategoritë prioritare është ata që nuk kanë banesë.” Një tjetër kufizim i rëndësishëm është që skema synon kryesisht sigurimin e banesës së parë. Programi nuk është konceptuar për një familje që dëshiron të blejë një shtëpi të dytë. Në fokus janë personat dhe familjet që nuk kanë banesë, si edhe rastet kur banesa që disponojnë aktualisht nuk plotëson normat e strehimit. Një kusht tjetër i deklaruar është që përfituesit të jenë të regjistruar në bashkinë ku do të marrin kuotën.






Comments