Inflacioni ngjitet në 3.4%, niveli më i lartë në 2 vite/ Ushqimet dhe qiratë rëndojnë familjet
- Aug 10
- 2 min read
Kostoja e jetesës në Shqipëri është shtrenjtuar më tej gjatë muajit korrik, me inflacionin që arriti në 3.4%, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni u rrit nga 3.2% në qershor në 3.4% në korrik, duke kaluar për të dytin muaj radhazi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga ushqimet, strehimi dhe transporti, tre prej zërave që kanë peshën më të madhe në buxhetin e familjeve.
Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me 1.18 pikë përqindje. Pas tij renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me 0.83 pikë përqindje, ndërsa “Transporti” kontribuoi me 0.52 pikë përqindje.
Rritje të tjera u regjistruan edhe në mobilie dhe pajisje shtëpie, restorante dhe akomodim, kujdes personal, argëtim, arsim, sigurime dhe shërbime financiare.
Në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, rritjen më të madhe e ka shënuar grupi “Transporti”, me 8%, i ndjekur nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6% dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.5%.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” janë rritur me 4.1%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 3.5%.
Nga ana tjetër, çmimet e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar rënie me 1.8%, ndërsa grupi “Informacioni dhe komunikimi” është ulur me 0.9%. Një prej faktorëve kryesorë që po ushqen presionet inflacioniste është rritja e kostos së strehimit, veçanërisht në Tiranë.
Gjatë periudhës janar-qershor 2026, qiraja mesatare për një apartament 1+1 në Tiranë arriti në rreth 590 euro në muaj, ndërsa për një apartament 2+1 në rreth 954 euro.
Krahasuar me periudhën janar-qershor 2024, qiratë janë rritur nga 4.4% deri në 27%, në varësi të zonës. Këto nivele po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostos së strehimit nga familjet shqiptare.






Comments