top of page

Fazë e re punimesh për rrugën e Ndroqit, 10 mln euro për lotin 3

Sep 17
1 min read

Punimet për rehabilitimin e aksit Kombinat–Ndroq–Plepa pritet të hyjnë në një tjetër fazë dhe të marrin ritme të tjera. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë G.P.G. COMPANY fituese për lotin 3 të projektit, me një ofertë prej 950.3 milionë lekësh, rreth 10 milionë euro. Vlera e ofertës fituese është dukshëm më e ulët se fondi limit i përcaktuar për tenderin. ARRSH kishte vendosur në dispozicion 1.365 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 14.5 milionë euro sipas kursit të përdorur në dokumentacionin e procedurës. Punimet janë parashikuar të përfundojnë brenda një periudhe 24-mujore.


Sipas dokumentit, pjesa që i korrespondon lotit 3 përfshin zonën e Ndroqit. Një ndër ndërhyrjet kryesore të projektit lidhet me kalimin e lumit Erzen, ku parashikohet ndërtimi i dy urave në hyrje të Ndroqit.

Secila urë do të jetë me gjatësi 124 metra.


Projekti nuk kufizohet vetëm te riparimi i sipërfaqes ekzistuese të rrugës, por do të ketë ndërhyrje në gjurmën dhe profilin e saj, ndërsa parametrat e projektimit përcaktojnë dy korsi lëvizjeje me gjerësi 3.75 metra secila. Në të dyja anët parashikohen gjithashtu bankina të asfaltuara me gjerësi 1.5 metra. Shpejtësia është përcaktuar nga 50 deri në 100 kilometra në orë, në varësi të karakteristikave të pjesëve të ndryshme të aksit.


Rikonstruksioni i rrugës së Ndroqit nisi në tetor të 2024, me fazën e parë të punimeve të shtrirë nga dalja e Kombinatir deri në Pezë-Helmes. Rehabilitimi i kësaj rruge pritet të shfryjë trafikun që krijohet në autostradën Tiranë-Durrës, duke u përdorur si rrugë alternative nga drejtuesit e mjeteve.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page