top of page

Energjia, Shqipëria përmbush objektivat e integrimit: Mbi 600 MW kapacitete të reja dhe 61 milionë euro në buxhet

  • 2 days ago
  • 2 min read

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në reformimin e sektorit të energjisë dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se nga 1 janari deri më 30 qershor janë përmbushur një sërë masash të lidhura me reformën energjetike dhe procesin e integrimit evropian.


Një prej rezultateve kryesore është zgjerimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme. Sipas ministrit, Shqipëria kishte si objektiv instalimin e 600 MW kapacitete të reja deri më 30 qershor 2026, ndërsa tashmë ky nivel është tejkaluar.


“Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme”, deklaroi Karakaçi.


Në kuadër të reformave është ngritur edhe sistemi i garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, shtoi ministri. Ky mekanizëm, sipas tij, synon t’u japë konsumatorëve informacion më të qartë mbi burimin nga i cili prodhohet energjia që konsumojnë, duke rritur transparencën e tregut dhe duke e afruar atë me praktikat evropiane.


Paralelisht janë miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve që ndikojnë në konsumin e energjisë. Qëllimi është që konsumatorët të kenë më shumë informacion për efiçencën energjetike të pajisjeve dhe të mund të marrin vendime më të informuara gjatë blerjes.


Një tjetër pikë e rëndësishme e paketës së reformave është ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Sipas ministrit, ligji synon të forcojë funksionimin e tregut, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të përshpejtojë afrimin e Shqipërisë me tregun evropian të energjisë.


Në të njëjtën periudhë është avancuar edhe harmonizimi i kuadrit ligjor për biokarburantet, ndërsa janë thjeshtuar procedurat që lidhen me investimet në energjinë e rinovueshme. Një tjetër objektiv është integrimi gradual i tregut shqiptar të energjisë me atë të Bashkimit Evropian.


Reformat kanë përfshirë edhe masa sociale. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është miratuar Plani Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, së bashku me kuadrin ligjor për krijimin dhe funksionimin e komuniteteve të energjisë. Këto komunitete synojnë t’u japin qytetarëve, bizneseve dhe njësive të qeverisjes vendore mundësi më të mëdha për t’u përfshirë në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme. Për vetëprodhuesit e energjisë, kuadri i ri pritet të krijojë më shumë hapësirë për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në tregun energjetik.



Përmbushja e reformave ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë financiar. Sipas Karakaçit, realizimi i masave të parashikuara deri më 30 qershor i hap rrugë disbursimit të 61 milionë eurove në buxhetin e shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Fondet pritet të përdoren për mbështetjen e investimeve, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e reformave të lidhura me integrimin evropian. Ministri theksoi se jo të gjitha masat janë përfunduar, ndërsa puna për objektivat e mbetura vijon.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page