top of page

Energjia elektrike: Shqipëria rrit prodhimin dhe eksportet, bien importet

Aug 26
2 min read

Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të bilancit energjetik gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se energjia në dispozicion u rrit me 5,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa prodhimi vendas shënoi rritje të fortë.

Prodhimi vendas i energjisë elektrike arriti në 2.361 GWh, nga 1.757 GWh në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, duke u rritur me 34,4%. Nga prodhimi total vendas, 42,8% u realizua nga hidrocentralet publike, 38,2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare, ndërsa 19% nga prodhues të tjerë, kryesisht nga burime të tjera të rinovueshme.

Hidrocentralet publike prodhuan rreth 1.011 GWh gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, kundrejt 704 GWh një vit më parë. Rritja ishte 43,6%. Edhe hidrocentralet private dhe koncesionare shënuan rritje. Prodhimi i tyre arriti në 903 GWh, nga 765 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025, ose 18% më shumë.

Ndërkohë, prodhuesit e tjerë të energjisë, përfshirë burimet e tjera të rinovueshme, prodhuan 448 GWh, nga 288 GWh një vit më parë. Kjo përkthehet në një rritje prej 55,6%.


Importet bien, eksportet rriten ndjeshëm


Përmirësimi i prodhimit vendas është reflektuar edhe në marrëdhënien e Shqipërisë me tregun e jashtëm të energjisë. Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë energjinë në marrje përmes shkëmbimeve, ra në 569 GWh, nga 725 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një ulje prej 21,5%.

Në të njëjtën kohë, eksportet u rritën ndjeshëm. Eksporti bruto arriti në 991 GWh, nga 638 GWh një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 55,4%.

Si rezultat, shkëmbimi i energjisë elektrike, pra diferenca mes eksportit dhe importit bruto, rezultoi pozitiv me 422 GWh.

Të dhënat tregojnë kështu një pozicion më të favorshëm të bilancit të energjisë elektrike në tremujorin e dytë të vitit, me prodhim më të lartë vendas, importe më të ulëta dhe eksporte më të mëdha.


Konsumi i energjisë rritet


Edhe konsumi i energjisë elektrike është rritur gjatë kësaj periudhe.

Sipas INSTAT, konsumi total i energjisë elektrike në tremujorin e dytë të vitit 2026 arriti në rreth 1,94 milionë MWh, nga rreth 1,84 milionë MWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Përdorimi nga konsumatorët u rrit në 1.619 GWh, nga 1.525 GWh një vit më parë.

Konsumi familjar arriti në 823 GWh, nga 780 GWh, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jofamiljarë u rrit në rreth 796 GWh, nga 745 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Pra, si familjet, ashtu edhe bizneset dhe konsumatorët e tjerë jofamiljarë kanë regjistruar rritje të përdorimit të energjisë elektrike.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page