top of page

Eksperti: Fondet e IPARD III janë të djegura! Të përgatitemi për programin e ri

Oct 4
2 min read

Programi IPARD III vijon të mbetet i bllokuar për Shqipërinë, ndërsa fermerët kanë humbur mundësinë për të përfituar nga rreth 146 milionë euro financime të parashikuara për zhvillimin e bujqësisë. Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ngre shqetësimin se fondet e programit nuk u aksesuan dhe argumenton se tashmë vëmendja duhet të përqendrohet te zgjidhja e problematikës së krijuar dhe përgatitja për IPARD IV.


“Bujqësia filloi të rritet dhe të reduktojë atë balancën negative tregtare me fillimin në aksesimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Nisi që në 2011 dhe kulmoi me IPARD I dhe IPARD II, tani kemi problemin më të madh të bllokimit të fondeve, që akoma ne nuk e kemi zgjidhur me Bashkimin Evropian”, tha Pilku gjatë një interviste televizive. Ai argumenton se tashmë duhet të zgjidhen detyrimet që lidhen me fondet e mëparshme dhe të krijohen kushtet për akreditimin e strukturave përgjegjëse. “Ne na u dogj IPARD III, na ka ngelur vetëm pak muaj për këtë program, sepse mbaron në fund të vitit dhe ne nuk e përfituam. Pra, 146 milion euro ne nuk i aksesuam”, deklaroi ai.


Pilku thotë se përpara kalimit te programet e ardhshme duhet të zgjidhet çështja e fondeve të keqpërdorura dhe të merren masat e nevojshme për rikthimin e besimit të institucioneve europiane. “Duhet të zgjidhim problemin e asaj që kemi kaluar, dhe t’i kthejmë paratë e keqpërdorura, pra duhet të rimbursohet Brukseli, të nxirren të merren masa dhe më pas vijmë tek akreditimi”, thotë eksperti. Ai vlerëson gjithashtu se financimi i munguar europian duhej të ishte kompensuar përmes buxhetit të shtetit, në mënyrë që sektori të mos mbetej pa mbështetje financiare gjatë periudhës së bllokimit të IPARD III.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page