Dhuna ndaj bizneseve nuk mund të bëhet alibi për pushtetin

Nga Eduard Gjokutaj
Pakënaqësia nuk lind në shesh, por në shesh ajo bëhet e dukshme. Shqetësimet për arsimin, punësimin, korrupsionin dhe mungesën e besimit te institucionet nuk u krijuan brenda këtyre ditëve. Ato u grumbulluan gradualisht ndër vite. Edhe këto 13 vite nuk erdhën në vakum. Ato erdhën pas një premtimi të qartë për drejtësi mbi të kaluarën dhe për ndarje të vërtetë prej saj. Një premtim që u përdor si legitimim i pushtetit dhe si shpresë e re për qytetarët.
Pas kaq vitesh, është e vështirë të pretendohet se shkaqet e kësaj pakënaqësie janë përgjegjësi e dikujt tjetër.
Kush erdhi me premtimin e drejtësisë dhe të ndryshimit, mban edhe një përgjegjësi më të madhe.
Barra e llogaridhënies nuk mund të ndahet në mënyrë të barabartë mes atij që ka ushtruar pushtetin dhe atij që kërkon llogari. Përgjegjësia e vërtetë matet me aftësinë për të parandaluar problemet që i nxorën njerëzit në rrugë, jo vetëm me aftësinë për t’i menaxhuar protestat.
Qytetarët mund të jenë vonuar në reagim. Kjo nuk e zbeh të drejtën e tyre për të kërkuar përgjigje. Përkundrazi, koha e kaluar e bën këtë reagim edhe më domethënës. Dhuna dhe dëmtimi i pronës nuk justifikohen dhe duhet të kenë përgjegjësi ligjore. Por dhunën e disave nuk duhet ta përdorim si alibi për të shmangur shqetësimin e shumicës. Rendit publik i duhet bashkuar përgjegjësia politike, sepse mungesa e saj e bën çdo qetësi të jetë e përkohshme.
Vendi sot nuk ka nevojë për një tjetër betejë deklaratash. Realisht ka nevojë për veprime konkrete mbi korrupsionin, punësimin, arsimin dhe besimin te institucionet, të cilat ne i kemi porpozuar dhe kemi marrë si përgjigje heshtjen dhe mosreagimin.
Qetësia nuk mund të jetë detyrim vetëm i qytetarëve, ndërsa ndryshimi mbetet gjithmonë një premtim i shtyrë.
Trembëdhjetë vite pas premtimit për drejtësi dhe ndarje nga e kaluara janë kohë e mjaftueshme për të mos ia faturuar më të tjerëve problemet që kërkojnë zgjidhje.
Njerëzit do të kthehen në shtëpitë e tyre. Do të heshtin, do të shkojnë sërish në punë dhe do të përballen me të njëjtat vështirësi, me të njëjtat fatura dhe me të njëjtën lodhje. Problemet nuk largohen bashkë me turmën.
Ato mbeten aty, të heshtura, të rënda bashkë me zhgënjimin e atyre që gjithë këto vite dhanë mandatin në mirëbesim.






Comments