Deri në 5 vjeç, fëmijën ta mban shteti

Nga 1 korriku 2027, bonusi i bebeve pritet të pësojë një ndryshim të rëndësishëm: në vend të pagesës së vetme që familjet marrin pas lindjes së fëmijës, mbështetja financiare do të shpërndahet në këste mujore dhe do të vijojë deri në moshën 5 vjeç.
Ndryshimi parashikohet në kuadër të projektbuxhetit të vitit 2027 dhe synon ta shtrijë mbështetjen ekonomike të shtetit përgjatë viteve të para të rritjes së fëmijës, në vend që përfitimi të merret i gjithi në momentin e lindjes.
Sipas skemës, pagesa mujore parashikohet të jetë 5 mijë lekë për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kjo do të thotë se, nëse skema zbatohet për të gjithë periudhën pesëvjeçare, mbështetja e përgjithshme do të arrijë në 300 mijë lekë për fëmijën e parë, 420 mijë lekë për të dytin dhe 600 mijë lekë për të tretin.
Aktualisht, bonusi i lindjes jepet si një pagesë e vetme: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin. Me modelin e ri, familjet nuk do ta marrin më shumën menjëherë pas lindjes, por do të përfitojnë një pagesë të rregullt mujore. Kështu, për një fëmijë të parë, mbështetja do të kalonte nga 40 mijë lekë njëherësh në 5 mijë lekë në muaj; për të dytin nga 80 mijë në 7 mijë lekë në muaj, ndërsa për të tretin nga 120 mijë në 10 mijë lekë në muaj. Skema e bonusit të bebeve është aplikuar që prej vitit 2019.






Comments