Boom-i i turizmit në Shqipëri, Rama: Duhet të rrisim urgjent cilësinë

Rritja e numrit të turistëve në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re, ku sfida nuk është më vetëm tërheqja e vizitorëve, por edhe mënyra se si vendi i pret dhe i menaxhon ata. Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka kaluar nga rreth 2 milionë turistë në mbi 12 milionë, ndërsa tashmë vëmendja duhet të zhvendoset te cilësia dhe turizmi i nivelit të lartë. Duke folur në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026”, Rama solli në vëmendje ndryshimin e shpejtë të sektorit gjatë viteve të fundit. Sipas tij, vetëm pak vite më parë Shqipëria kishte një prani shumë të kufizuar në industrinë europiane të hotelerisë dhe nuk kishte asnjë hotel me pesë yje. Ai tha se edhe përpjekjet për të tërhequr operatorë ndërkombëtarë përballeshin me refuzime, pasi vendi nuk konsiderohej ende në nivelin e kërkuar për standardet e industrisë.
Rama u ndal edhe te statistikat e turizmit, duke argumentuar se shifrat e dikurshme nuk pasqyronin gjithmonë turistët në kuptimin klasik të fjalës. Sipas tij, në numërime përfshiheshin edhe persona që hynin e dilnin nga Shqipëria për arsye të tjera, si puna, vizitat familjare apo udhëtimet jashtë vendit. “Nuk kishte asnjë hotel me pesë yje. Madje, jo vetëm që nuk kishte hotele me pesë yje në vend, por as nuk kishte ndonjë perspektivë që një i tillë të hapej në të ardhmen e afërt”, tha Rama. Kreu i qeverisë tha se situata ka ndryshuar ndjeshëm, por rritja e numrit të vizitorëve tashmë sjell edhe probleme të reja për t’u menaxhuar. Sipas tij, një fluks i madh turistësh me të ardhura mesatare dhe të ulëta mund të krijojë presion mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe komunitetet lokale. “Ndodhemi në një moment kur, në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës, jemi të shqetësuar për nevojën urgjente për të rritur cilësinë”, u shpreh ai.
Kryeministri argumentoi se Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te rritja e numrit të vizitorëve, por duhet të krijojë më shumë hapësirë për atë që ai e cilësoi si “turizëm të ekselencës”, me standarde më të larta dhe vizitorë me fuqi më të madhe shpenzuese. Sipas tij, rritja e mëtejshme e turizmit nuk mund të ndalet përmes mekanizmave që pengojnë ardhjen e njerëzve, ndaj fokusi duhet të jetë te krijimi i kapaciteteve dhe kushteve për një zhvillim më cilësor të sektorit. “Duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe kushte që turizmi i ekselencës, i cilësisë së lartë, të vijë në vendin tonë dhe të shndërrohet në një forcë më vete”, tha Rama.






Comments