"Boom" i bizneseve të huaja në Shqipëri, regjistrimet rriten me 35% në tetë muaj

Regjistrimet e bizneseve me 100% pronësi të huaj në Shqipëri kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se nga janari deri në gusht janë regjistruar 1,644 subjekte të tilla, me një rritje prej 35.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në janar-gusht 2025, numri i bizneseve të regjistruara me kapital tërësisht të huaj ishte 1,216. Kjo do të thotë se në tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 428 subjekte më shumë, duke shënuar një rritje të dukshme të numrit të sipërmarrjeve të reja me pronësi të huaj. Edhe mesatarja mujore ka ardhur në rritje. Nëse gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025 regjistroheshin mesatarisht rreth 152 biznese të huaja në muaj, këtë vit shifra ka arritur në 206 subjekte.
Të dhënat tregojnë një intensifikim të regjistrimeve, por nuk mjaftojnë për të përcaktuar se sa kapital është investuar realisht në ekonomi. Rritja e numrit të bizneseve të regjistruara nuk nënkupton domosdoshmërisht një rritje në të njëjtën masë të investimeve të huaja.






Comments