Bllokimi i pagave të magjistratëve, SPAK merr në pyetje drejtoreshën e Thesarit

SPAK ka nisur marrjen në pyetje të zyrtarëve që kanë pasur rol në procedurën e bllokimit të pagave të magjistratëve. Në kuadër të hetimit, në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur drejtoresha e Thesarit, Elmira Peto. Peto është thirrur nga prokurori i çështjes për të dorëzuar dokumentacionin lidhur me bllokimin e pagave dhe po merret në pyetje në cilësinë e deklarueses.
Në kuadër të hetimit SPAK ka administruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, shkresat e Prokurorisë së Përgjithshme për listëpagesat, listëpagesat e anuluara nga Ministria e Financave, si dhe gjurmët elektronike të sistemit të Thesarit.
Pas dëshmisë së drejtoreshës së Thesarit, hetuesit pritet të marrin në pyetje edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave. Hetimi zhvillohet në kuadër të procedimit penal nr. 100 dhe lidhet me dyshimet për “shpërdorim detyre” dhe “pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor”, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026. SPAK po heton personat që kanë urdhëruar ose kanë marrë vendimin për moslëvrimin e pagave, ndërsa po verifikon dokumentacionin dhe gjurmët elektronike të krijuara gjatë gjithë procedurës.
Hetimi i SPAK lidhet me kallëzimin penal të depozituar më 8 shtator nga drejtues dhe nëpunës autorizues të gjykatave, së bashku me drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve. Në kallëzim janë përfshirë ministri i Financave Petrit Malaj, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Gentian Këri.
Ndërkohë, këtë të premte Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ri për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i hapur rrugë hyrjes së tij të menjëhershme në fuqi. Bëhet fjalë për ligjin nr. 95/2026, që ndryshon ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dekretimi vjen pas kërkesës së Kuvendit për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit, e cila u argumentua me situatën e krijuar nga bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.






Comments