Biznesi "shpërthen" kundër Dhomës Ekonomike Kombëtare: Nuk na përfaqësoni dot me detyrim!

17 organizata të komunitetit të biznesit në Shqipëri kanë dalë me një qëndrim të përbashkët kundër projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, duke kërkuar rishikimin e modelit të propozuar për përfaqësimin e sipërmarrjes. Organizatat, mes të cilave Dhoma Amerikane e Tregtisë, dhomat gjermane, italiane, britanike e zvicerane të tregtisë, shoqata të investitorëve, bankave, industrisë dhe teknologjisë, vlerësojnë se pavarësisht ndryshimeve të bëra në versionin e ripunuar të projektligjit, shqetësimet kryesore të biznesit mbeten ende të pazgjidhura.
Në qendër të kundërshtimit është anëtarësimi i detyrueshëm. Projektligji parashikon që çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar të bëhet automatikisht anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare. Sipas organizatave të biznesit, ky model duhet të rishikohet në raport me lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe lirinë e organizimit. Biznesi kërkon të ketë mundësinë të zgjedhë nëse do të jetë pjesë e një dhome biznesi dhe se në cilën organizatë dëshiron të përfaqësohet. Në qëndrimin e tyre, organizatat argumentojnë se përfaqësimi i sipërmarrjes funksionon mbi bazën e besimit, zgjedhjes dhe vlerës që një organizatë u ofron anëtarëve. Ata paralajmërojnë se krijimi me ligj i një strukture kombëtare me anëtarësi automatike nuk duhet të zëvendësojë apo dobësojë rolin e dhomave dhe shoqatave ekzistuese, të cilat funksionojnë mbi bazën e anëtarësimit vullnetar. “Shteti mund të krijojë me ligj një institucion dhe t’i delegojë atij funksione publike; mandatin për të përfaqësuar biznesin mund t’ia japë vetëm vetë biznesi", thuhet në reagim.
Një tjetër pikë shqetësimi është tarifa vjetore e regjistrimit që lidhet me anëtarësimin dhe shërbimet e Dhomës. Biznesi argumenton se një detyrim financiar nuk duhet të përdoret për të financuar në mënyrë të detyrueshme një strukturë përfaqësuese që bizneset nuk e kanë zgjedhur. Në projektligj parashikohet një gamë e gjerë shërbimesh nga DHEK, duke nisur nga këshillimi dhe trajnimet, deri te certifikatat e origjinës, Carnet ATA/TIR, promovimi i eksporteve dhe investimeve dhe funksione të tjera publike të deleguara. Pikërisht për këtë arsye, organizatat kërkojnë që ligji të përcaktojë qartë cilat shërbime përfshihen në tarifën vjetore, cilat janë të garantuara për çdo anëtar, standardin minimal të ofrimit dhe mënyrën e aksesimit të tyre. Ata kërkojnë gjithashtu qartësi për raportin mes tarifës vjetore, tarifave të veçanta për shërbime dhe financimit publik të funksioneve të deleguara. Në përfundim, komuniteti i biznesit kërkon që procesi i konsultimit publik të përdoret për të rishikuar vetë modelin e reformës dhe jo vetëm për të bërë ndryshime teknike në projektligj.
Organizatat kërkojnë:
• heqjen ose rishikimin e modelit të anëtarësimit të detyrueshëm;
• garantimin e lirisë së bizneseve për të zgjedhur mënyrën dhe organizatën e përfaqësimit;
• mbrojtjen e pluralizmit të organizatave të biznesit;
• përcaktimin e qartë të shërbimeve që mbulohen nga tarifa vjetore;
• një analizë të plotë të sistemit aktual dhe alternativave të reformës;
• transparencë mbi kostot dhe financimin e DHEK;
• ndarje të qartë të funksioneve të DHEK nga institucionet ekzistuese.






Comments