Besimi në ekonomi rritet në shtator, konsumatorët dhe ndërtimi më optimistë

Besimi në ekonomi është përmirësuar lehtë gjatë muajit shtator, i ndikuar kryesisht nga rritja e optimizmit të konsumatorëve dhe bizneseve në sektorin e ndërtimit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me 0.3 pikë, duke reflektuar pritshmëri më pozitive për ecurinë e ekonomisë. Rritjen më të ndjeshme të besimit e kanë shfaqur konsumatorët dhe sektori i ndërtimit. Për konsumatorët, treguesi i besimit u rrit me 2.3 pikë përqindje. Përmirësimi lidhet me vlerësimin më pozitiv të situatës financiare dhe gatishmërinë për blerje në shuma të mëdha. Konsumatorët presin gjithashtu përmirësim të situatës ekonomike në të ardhmen dhe një ulje të çmimeve. Edhe ndërtimi ka shfaqur një panoramë më optimiste. Zgjerimi i treguesit të besimit në këtë sektor u përcaktua nga vlerësimet në rritje si për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe për kontratat porositëse. Ndërkohë, mbyllja e sezonit veror duket se ka frenuar optimizmin në sektorin e shërbimeve. Pas një vere me fluks të lartë turistësh dhe rritje të aktivitetit për hotelet, baret dhe restorantet, veçanërisht në zonat bregdetare, bizneset e shërbimeve shfaqen më pak të kënaqura me ecurinë aktuale dhe nivelin e kërkesës. Edhe industria ka regjistruar rënie të besimit. Treguesi i besimit në industri u ul me 3.8 pikë përqindje në shtator. Kontratat porositëse mbetën në të njëjtin nivel me muajin e kaluar, ndërsa edhe pritjet për porositë e eksporteve nuk shfaqën përmirësim. Për më tepër, bizneset e industrisë presin rënie të çmimeve në periudhën në vijim. Në tregti, besimi u ul me 1.8 pikë përqindje, si pasojë e vlerësimeve më negative për ecurinë aktuale të biznesit dhe pritjeve për punësimin në të ardhmen. Të dhënat e shtatorit tregojnë kështu një ekonomi me zhvillime të ndryshme sipas sektorëve: konsumatorët dhe ndërtimi shfaqin më shumë optimizëm, ndërsa industria, tregtia dhe shërbimet përballen me më shumë pasiguri pas përfundimit të sezonit veror.






Comments