top of page

Asfalti është shtruar! Elbasan–Papër drejt hapjes

Sep 20
2 min read

Punimet në segmentin rrugor Elbasan–Papër, Faza 2, kanë hyrë në fazën përmbyllëse. Sipas përditësimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtresa asfaltike është realizuar përgjatë gjithë gjatësisë së parashikuar në projekt, ndërsa aktualisht po punohet për vendosjen e sinjalistikës horizontale. Vendosja e vijëzimeve në rrugë është një nga ndërhyrjet e fundit që duhet të përfundojnë përpara mbylljes së punimeve të këtij segmenti dhe synon plotësimin e elementeve të sigurisë për përdoruesit e rrugës.


Punimet për aksin e ri Elbasan–Rrogozhinë nisën në dhjetor 2024, fillimisht në 18 kilometrat e parë të projektit, që përfshijnë zonën Elbasan–Papër–Ura e Grykshit. Projekti Elbasan–Papër është pjesë e aksit më të gjerë Elbasan–Lekaj, që përbën një nga segmentet e Korridorit VIII. Aksi i plotë Elbasan–Rrogozhinë ka një gjatësi rreth 40.7 kilometra, nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu.


Sipas dokumenteve teknike të projektit, rruga e re është konceptuar si një aks me standarde të larta, me vepra të ndryshme infrastrukturore përgjatë trase­së. Projekti parashikon ura dhe viadukte, mbikalime, nënkalime, nënkalime bujqësore, mure mbajtëse dhe pritëse, mure me dhe të përforcuar dhe gabione, si dhe tombino për kalimin e ujërave, përrenjve të vegjël dhe kanaleve vaditëse. Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet edhe me sigurimin e lidhjeve me rrugët ekzistuese dhe lehtësimin e kalimeve për banorët e zonave përreth. Dokumentacioni teknik përcakton se projektimi është bazuar në studime topografike, hidrologjike, gjeoteknike dhe gjeologjike, me synim garantimin e stabilitetit të trupit të rrugës dhe strukturave shoqëruese.


Aksi Elbasan–Rrogozhinë është projektuar si autostradë e kategorisë A, me dy korsi në secilin drejtim, dhe është pjesë e infrastrukturës së Korridorit VIII. Dokumentet dhe njoftimet për projektin e lidhin këtë aks me përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe të lidhjes rrugore në drejtimin Elbasan–Rrogozhinë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page