Çfarë do të bëhet te Parku Rinia? 5 studio ndërkombëtare prezantojnë projektet

Pesë studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës janë vënë përballë njëra-tjetrës për të konceptuar transformimin e një prej zonave qendrore të Tiranës. Projekti “Tirana Fountain Plaza” synon rikonceptimin e zonës pranë “Parkut Rinia”, në një ndërhyrje që parashikon një tjetër zhvillim të hapësirës dhe të godinës ekzistuese. Projektet e studiove pjesëmarrëse u prezantuan në Tiranë, ndërsa në aktivitet ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili foli për rëndësinë e përfshirjes së arkitektëve ndërkombëtarë në projekte të kësaj shkalle.
Në garë janë Barozzi Veiga nga Spanja, Bjarke Ingels Group dhe Cobe nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe Julien De Smedt Architects nga Franca. Sipas Ramës, bëhet fjalë për zhvillimin e një prone private, por pozicioni i saj në zemër të parkut e bën ndërhyrjen të rëndësishme edhe për hapësirën përreth. Për këtë arsye, ai tha se është zgjedhur një konkurs ndërkombëtar për të përcaktuar projektin që do t’i përshtatet më mirë si pronës, ashtu edhe kryeqytetit. Rama e lidhi projektin me ndryshimin që ka pësuar Tirana ndër vite, duke argumentuar se nevojat e qytetit sot nuk janë më të njëjtat me ato të kohës kur u krijua “Parku Rinia” apo kur u ndërtua godina e njohur si “Tajvani”. Sipas tij, ndërhyrja e re duhet të marrë parasysh jo vetëm zhvillimin e pronës, por edhe ndikimin që do të ketë në hapësirën përreth. Një prej pikave që Kryeministri theksoi ishte raporti i projektit me parkun. Rama tha se ndërhyrja nuk duhet të dëmtojë natyrën ekzistuese, por të kontribuojë në përmirësimin e saj.
“Duhet të ndikojë në rigjenerimin e vetë parkut pa prekur asgjë që natyra aty ka, por duke shtuar”, deklaroi ai. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te debati për përfshirjen e arkitektëve të huaj në projektet e mëdha që zhvillohen në Tiranë. Ai tha se Shqipëria është përballë një faze të re zhvillimi urban dhe se për projekte të tilla kërkohet ekspertizë ndërkombëtare.
Në këtë pikë, Kryeministri pranoi se vendi nuk ka ende kapacitetet e nevojshme për të realizuar vetë të gjitha projektet komplekse të ndërtimit të kullave. “Ndërtimi i kullave është kaq kompleks, delikat dhe kaq shumë profesionistë të bërë bashkë saqë duhet ta pranojmë se ne nuk kemi akoma kapacitetin dhe dijet”, tha Rama.
Ai kundërshtoi ndërkohë kritikat se përfshirja e studiove të huaja do të thotë se projektet në Shqipëri zhvillohen pa rregulla. Sipas tij, ndërtimi duhet të bëhet brenda standardeve dhe kuadrit ligjor. Rama foli gjithashtu për çështjen e pronës dhe pretendimet se qytetarët mund të jenë nxjerrë me forcë nga banesat për t'i hapur rrugë projekteve private. Ai tha se një praktikë e tillë nuk ka ndodhur për zhvillimin e projekteve private dhe se çështjet e pronës duhet të trajtohen në përputhje me ligjin. Projekti “Tirana Fountain Plaza” vjen kështu në një prej zonave më të ekspozuara të kryeqytetit, ku zhvillimi i pronës private ndërthuret me ndikimin që ndërhyrja mund të ketë mbi një hapësirë publike si “Parku Rinia”.






Comments