top of page

TVSH-ja me dy "fytyra": 6% për shportën, 21% për pjesën tjetër të ekonomisë

5 days ago
2 min read

Teksa protestat e gjata në bulevard kanë nxjerr në pah rritjen e ndjeshme të kostos së jetesës në vend, qeveria po mendon që për herë të parë të rishikojë në ulje një nga taksat bazë, tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH. Në projektligjin  Për disa ndryshime për tatimin mbi vlerën e shtuar,pjesë e paketë fiskale 2027, qeveria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6%, por paralelisht rrit normën standarde në 21%. Ndërkohë rritje do të ketë edhe TVSH për turizmin nga 6% në 10%. Efekti neto i paketës fiskale 2027 parashikohet të jetë negativ për buxhetin me 1.6 miliardë lekë.


Një ndryshim i rëndësishëm në taksimin e konsumit pritet të jetë pjesë e paketës fiskale 2027. Për herë të parë në Shqipëri, qeveria propozon aplikimin e një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, duke e ulur atë nga niveli aktual prej 20%. Buka, mielli, qumështi, kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat, perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja janë ndër produktet që parashikohet të përfitojnë nga kjo lehtësi fiskale. Do të jetë qeveria ajo e cila me një vendim të saj do të përcaktojë listën përfundimtare të pordukteve. Qëllimi i deklaruar i nismës është ulja e çmimeve të produkteve bazë dhe lehtësimi i barrës së shpenzimeve për familjet shqiptare. Megjithatë, mbetet për t'u parë se sa nga ulja e taksës do të reflektohet realisht në çmimet që paguajnë konsumatorët.

TVSH-ja rritet për pjesën tjetër të ekonomisë

Lehtësimi për shportën ushqimore shoqërohet me dy ndryshime të tjera fiskale. Norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për turizmin do të shkojë nga 6% në 10%. Kjo e fundit aplikohet që prej vitit 2017. Sipas relacionit të projektligjit, rritja e normës standarde synon të kompensojë humbjet në të ardhurat publike nga ulja e TVSH-së për ushqimet bazë. Por zgjerimi i normës standarde mund të sjellë kosto  shtesë për aktivitetet ekonomike që i nënshtrohen asaj. Kontabilistët kanë pohuar për Monitor se rritja e TVSH-së do të prekë disa sektorë, përfshirë transportin, materialet e ndërtimit dhe turizmin, duke e bërë të rëndësishëm vlerësimin e ndikimit të ndryshimeve në kostot e bizneseve dhe çmimet përfundimtare.

Buxheti përfiton nga rritjet, por humbet nga ulja për ushqimet

Përllogaritjet financiare të projektligjit tregojnë se ndryshimet e propozuara do të kenë një efekt neto negativ prej rreth 1.6 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Rritja e TVSH-së standarde në 21% parashikohet të sjellë 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë. Ndërkohë, ulja e normës për produktet e shportës ushqimore në 6% vlerësohet të shkaktojë një humbje prej 12.8 miliardë lekësh. Rritja e TVSH-së për turizmin në 10% pritet të sjellë edhe 614 milionë lekë të ardhura shtesë. Në thelb, paketa synon të ulë taksimin për konsumin bazë, ndërsa rrit atë për pjesën tjetër të aktiviteteve që preken nga normat standarde dhe të reduktuara të TVSH-së. Sfida kryesore do të jetë nëse lehtësimi fiskal për ushqimet do të përkthehet në një ulje reale të çmimeve për familjet shqiptare dhe nëse bizneset do të arrijnë të përballojnë kostot shtesë që mund të sjellin ndryshimet e tjera.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page