Tregu i punës "zien", mijëra vende të lira. Profesionet që kërkohen më shumë

Bizneset shqiptare vijojnë të kenë nevojë për punonjës në profile të ndryshme, ndërsa të dhënat për muajin gusht tregojnë një kërkesë të ndarë mes profesioneve të shërbimit dhe atyre që kërkojnë arsimim apo specializim.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, 5.350 vende pune janë të lira, duke treguar se nevoja për punonjës mbetet e konsiderueshme, përtej plotësimit të vende me fuqo të huaja.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, pjesa dërrmuese e pozicioneve të publikuara i përket punëve që nuk kërkojnë kualifikim të lartë. Në këtë kategori janë regjistruar mbi 1,200 vende të lira.
Kërkesat janë shpërndarë në disa profesione, ku përfshihen shoferë, kasapë, shitës, hekurkthyes dhe rrobaqepës. Kjo tregon se kompanitë dhe bizneset vijojnë të përballen me vështirësi për të gjetur staf për një sërë pozicionesh praktike.
Një peshë të veçantë në kërkesën për punonjës ka pasur edhe sektori i hotelerisë dhe shërbimeve. Aktiviteti turistik gjatë verës ka rritur nevojën për staf, veçanërisht në pozicionet që lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj klientit.
Vetëm për kamarierë janë evidentuar më shumë se 150 vende të lira pune. Paralelisht, bizneset kanë kërkuar edhe punonjës për pastrimin dhe kuzhinën, role që janë veçanërisht të rëndësishme për strukturat akomoduese dhe subjektet e gastronomisë.
Por kërkesa nuk është kufizuar vetëm te punonjësit pa specializim. Rreth 200 vende pune janë shpallur për profesionistë të kualifikuar, duke nxjerrë në pah një tjetër nevojë të tregut shqiptar.
Në këtë grup, ndër profilet më të kërkuara janë inxhinierët dhe ekonomistët. Krahas tyre, janë shfaqur edhe pozicione për mësues dhe programues, duke reflektuar nevojën e bizneseve dhe institucioneve për profesionistë me arsimim dhe aftësi specifike.
Shifrat e gushtit japin kështu një panoramë të një tregu pune me kërkesa të ndryshme: nga pozicionet që lidhen me shërbimet dhe aktivitetet sezonale, deri te profesionet që kërkojnë arsimim, eksperiencë dhe njohuri të specializuara.
Në të dyja skajet e tregut, sfida mbetet e njëjtë: përputhja e nevojave të punëdhënësve me fuqinë punëtore të disponueshme.






Comments