top of page

Tirana nuk do të jetë më njësoj! Zbulohet projekti gjigant për sheshin “Nënë Tereza”, do të lejohen vetëm këmbësorët

Sep 8
2 min read

Sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë pritet t’i nënshtrohet një transformimi të rëndësishëm, me një projekt që parashikon kthimin e hapësirës në një zonë kryesisht për këmbësorët dhe ndërtimin e një kompleksi të gjerë nëntokësor. Për realizimin e strukturave të reja, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur procedurën e prokurimit me një fond limit prej 2.08 miliardë lekësh, ose mbi 21 milionë euro. Projekti është pjesë e nismës “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 1&2”.


Sipas projektit teknik, ndërhyrja nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i një parkimi. Pjesa më e madhe e funksioneve të reja do të vendoset nën tokë, ndërsa sheshi në sipërfaqe do të rikonceptohet si një hapësirë kryesisht për këmbësorët. Kompleksi do të përfshijë parkim nëntokësor, muzeun arkeologjik, një kapelë kushtuar Nënë Terezës dhe ambiente shërbimi për vizitorët. Struktura nëntokësore do të shtrihet në disa nivele. Në kuotën -4 metra është parashikuar një shesh i ulur multifunksional, i cili do të shërbejë edhe si pikë hyrjeje dhe shpërndarjeje drejt pjesëve të tjera të kompleksit.


Nga kjo hapësirë do të ketë akses drejt bar-restorantit, kapelës dhe hollit të muzeut. Parkimi do të jetë në nivelin -7.75 metra, ndërsa hapësirat kryesore të muzeut arkeologjik do të zbresin deri në -19 metra. Parkimi nëntokësor është projektuar me një kapacitet prej rreth 170 automjetesh. Ai do të lidhet me hapësirat publike dhe funksionet e tjera të kompleksit përmes shkallëve dhe ashensorëve.


Një nga ndryshimet kryesore do të jetë edhe mënyra e qarkullimit të makinave. Trafiku që aktualisht kalon në sipërfaqen e sheshit parashikohet të zhvendoset në një unazë nëntokësore, e cila do të rrethojë zonën e parkimit. Hyrja në këtë sistem do të bëhet përmes tre rampave me nga dy korsi. Njëra do të vendoset në aksin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës, ndërsa dy të tjerat do të jenë në rrugën “Lek Dukagjini”, përballë korpusit universitar. Korridori nëntokësor do të ketë dy korsi me gjerësi 3.5 metra secila, ndërsa në të dyja anët do të ketë edhe kalime për këmbësorë, kryesisht për personelin, mirëmbajtjen dhe evakuimin në raste emergjence.


Projekti parashikon një hapësirë prej rreth 500 metrash katrorë për pritjen dhe hyrjen në muze. Aty do të vendosen biletaria, informacioni, ambiente administrative, si dhe hapësira për aktivitete edukative dhe ekspozita. Ndërkohë, Kapela e Nënë Terezës është projektuar në një sipërfaqe prej rreth 700 metrash katrorë. Kompleksi do të ketë gjithashtu një bar-restorant prej rreth 340 metrash katrorë, të integruar me sheshin e zhytur dhe kompleksin kulturor. Nga pikëpamja konstruktive, struktura do të ndërtohet me kolona, trarë dhe pllaka prej betoni të armuar. Për shkak të thellësisë së gërmimit, projekti parashikon edhe mure perimetrale mbajtëse për mbrojtjen e kompleksit nëntokësor. Në këtë mënyrë, projekti synon të zhvendosë një pjesë të konsiderueshme të funksioneve të transportit dhe shërbimeve poshtë sheshit, duke liruar sipërfaqen dhe duke i dhënë asaj një funksion më të madh publik dhe këmbësor.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page