Subvencion për qiranë në Elbasan, hapen aplikimet! Ja kush përfiton dhe dokumentet që duhen

Bashkia e Elbasanit ka hapur aplikimet për përfitimin e subvencionit të qirasë për vitin 2027, një program social që synon të mbështesë familjet dhe individët në vështirësi ekonomike, të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë vetë një banesë të përshtatshme. Sipas njoftimit të publikuar nga bashkia, aplikimet pranohen nga data 5 tetor deri më 5 nëntor 2026, ndërsa përparësi do t’u jepet kategorive të veçanta të përcaktuara në legjislacionin për strehimin social.
Në listën e përfituesve të mundshëm përfshihen jetimët, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, invalidët e punës, familjet e punonjësve të policisë dhe strukturave të tjera shtetërore të rënë në detyrë, emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit. Përparësi parashikohet gjithashtu për familjet rome dhe egjiptiane, viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim, si dhe vajzat nëna pas daljes nga programet e banesave sociale të specializuara. Në kategoritë e përcaktuara përfshihen edhe individët LGBTI që plotësojnë kushtet ligjore për strehim social, të rinjtë në konflikt me ligjin pas lirimit nga burgu dhe familjet që kanë statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private.
Për të përfituar nga skema, aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin që vërteton identitetin, përbërjen familjare, të ardhurat dhe statusin e tyre, sipas kategorisë ku bëjnë pjesë. Dosja duhet të përmbajë kopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të tre muajve të fundit dhe vërtetimin e vendbanimit për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit. Në rastet kur aplikimi bëhet nga prindër të divorcuar, kërkohet edhe vendimi i gjykatës për fëmijët në ngarkim. Në varësi të rastit, nevojiten dokumente që vërtetojnë aftësinë e kufizuar, statusin e jetimit, përkatësinë në komunitetet rome ose egjiptiane, statusin e emigrantit apo azilkërkuesit, si dhe dokumente për viktimat e dhunës në familje dhe personat e tjerë që përfitojnë nga mbrojtja e posaçme ligjore. Bashkia kërkon gjithashtu dokumentacion për të ardhurat e familjes, përfshirë pagat, pensionet, pagesën e papunësisë, ndihmën ekonomike, të ardhurat nga qiraja, dërgesat nga emigracioni dhe çdo burim tjetër të ardhurash.
Pjesë e dosjes duhet të jenë edhe vërtetimet për gjendjen e punësimit, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimet, si dhe dokumenti nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Elbasan që vërteton mungesën e të dhënave të pronësisë për banesë apo pronë tjetër në emër të aplikantit dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Kërkohet gjithashtu vërtetim nga organet tatimore nëse anëtarët e familjes mbi 18 vjeç kanë apo jo biznes. Sipas njoftimit, dokumentacioni duhet të dërgohet vetëm me postë në adresën e Bashkisë Elbasan, lagjja “Brigada 17 Sulmuese”, rruga “Q. Stafa”. Programi parashikon kontrata qiraje për periudhën janar-dhjetor 2027. Përfituesit duhet të kenë parasysh se gjatë periudhës së vlefshmërisë, kontrata nuk mund të ndryshohet dhe bashkia do të kryejë verifikime periodike në banesat e përfshira në skemë. Nëse konstatohet se përfituesi nuk banon në adresën e deklaruar, subvencionimi ndërpritet menjëherë dhe personi përjashtohet nga programet e strehimit social për pesë vjet.






Comments