top of page

Sigurimi i fermerëve, Shqipëria sheh nga Turqia: Në analizë modeli “TARSIM”

Aug 29
2 min read

Bujqësia shqiptare pritet të ketë një mekanizëm më të strukturuar për sigurimin e prodhimit dhe të ardhurave të fermerëve. Ministria e Bujqësisë ka nisur shqyrtimin e modeleve të ndryshme që përdoren në vende të tjera, me synimin për të ndërtuar një skemë që t’i përshtatet realitetit të vendit dhe njëkohësisht të jetë në përputhje me objektivat e integrimit europian.


Ministria ka nisur një proces krahasimi të sistemeve të sigurimit që funksionojnë në Europë dhe në vende të tjera, për të identifikuar elementët që mund të përshtaten në Shqipëri.


Sipas informacioneve, një nga alternativat që po analizohet është modeli turk “TARSIM”, i cili konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një shembull me rezultate të rëndësishme në sigurimin e sektorit bujqësor.


Në këtë kuadër, një grup pune nga Ministria e Bujqësisë ka vizituar Turqinë për të parë nga afër mënyrën se si funksionon “TARSIM”, si dhe për të vlerësuar nëse ky model mund të përshtatet me kushtet e bujqësisë shqiptare.


Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet specifikave të fermerëve shqiptarë, strukturës së fermave dhe objektivave që vendi ka në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, “TARSIM” është vetëm një prej alternativave që po shqyrtohen nga institucionet shqiptare dhe procesi i analizës vijon. Sipas autoriteteve, një sistem funksional sigurimi në bujqësi nuk mund të mbështetet vetëm te shteti apo vetëm te tregu privat. Për ndërtimin e tij kërkohet bashkëpunim ndërmjet qeverisë, fermerëve dhe kompanive private të sigurimit.

Ky bashkëpunim pritet të jetë një prej elementeve kryesore në hartimin e skemës shqiptare. Synimi është që mekanizmi i ardhshëm të mos kufizohet vetëm te fermat me kapacitete të mëdha, por të jetë i përdorshëm edhe nga fermerët e vegjël.


Një skemë e tillë do të kishte rëndësi të veçantë për sektorët që janë më të ekspozuar ndaj breshërit, përmbytjeve, thatësirës, ngricave, zjarreve apo fenomeneve të tjera që mund të dëmtojnë prodhimin.

Në rast të humbjeve të konsiderueshme, sigurimi do të shërbente si një mekanizëm për të reduktuar pasojat financiare për fermerët dhe për t’u dhënë atyre më shumë stabilitet në aktivitetin bujqësor.

Sipas deklaratës së ministrit të Bujqësisë, Andis Salla dy ditë më parë, një pjesë e primit të sigurimit do të paguhet nga shteti, si një ndihmë për fermerët.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page