Sigurim i detyrueshëm për fermerët në bujqësi, si do të funksionojë skema

Fermerët shqiptarë pritet të kenë një mekanizëm të ri mbrojtjeje ndaj dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka njoftuar se skema e sigurimeve në bujqësi është në fazën përfundimtare të hartimit dhe do të synojë të mbulojë si fermat e vogla, ashtu edhe ato të mëdha.
Ministri Andis Salla bëri të ditur se puna për ndërtimin e kësaj skeme është drejt përmbylljes, pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët gjatë takimeve në të gjithë vendin.
Një nga elementët kryesorë të skemës së re pritet të jetë mbështetja financiare nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit.
Kjo do të ulte koston që duhet të paguajë fermeri për sigurimin e prodhimit dhe do ta bënte skemën më të aksesueshme për një numër më të madh fermerësh.
Sipas ministrit, synimi është që mekanizmi të mos jetë i kufizuar vetëm te fermat e mëdha, por të mund të përdoret edhe nga fermerët me sipërfaqe dhe kapacitete më të vogla.
Bujqësia është një prej sektorëve më të ekspozuar ndaj kushteve atmosferike dhe fatkeqësive natyrore. Një episod i fortë breshëri, një ngricë në periudhën e lulëzimit, një përmbytje apo një zjarr mund të shkaktojë humbje të mëdha në prodhim dhe të ardhura.
Në këto raste, fermerët shpesh përballen jo vetëm me humbjen e prodhimit të pritshëm, por edhe me kostot e investuara gjatë gjithë sezonit.
Skema e sigurimeve, sipas ministrit, synon të krijojë një mekanizëm që të ndajë një pjesë të këtij risku, duke i dhënë fermerit një mundësi më të madhe për të përballuar pasojat financiare të dëmeve.






Comments