Shteti merr në dorë rezervën e naftës, Karakaçi zbardh detajet

Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve do të menaxhohet nga shteti. Vendimi për ndryshimin e mënyrës së administrimit është bërë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua ligji i ri për rezervën e sigurisë së hidrokarbureve. Sipas ministrit, qëllimi i skemës së re është që shteti të ketë në dispozicion një sasi rezervë karburanti që mund të përdoret në rastet kur në treg shfaqen probleme me furnizimin apo situata të veçanta që mund të rrezikojnë sigurinë e furnizimit. “Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve do të mbahet nga shteti. Kjo është për momente kur ka pasiguri në treg në kushte të veçanta”, deklaroi Karakaçi.
Ministri shpjegoi se ligji i ri krijon detyrimin për ruajtjen e kësaj rezerve dhe i jep shtetit mundësinë që ta menaxhojë atë edhe nga pikëpamja ekonomike. “Ky ligj i ri krijon detyrimin e ruajtjes së rezervës, duke e menaxhuar dhe e hedhur herë pas here në treg për të mos humbur cilësitë ekonomike”, tha ai. Ndryshimi kryesor lidhet me faktin se deri tani detyrimi për mbajtjen e rezervës së sigurisë ka qenë mbi kompanitë që operojnë në sektorin e hidrokarbureve. Sipas kuadrit ligjor që ka funksionuar deri më sot, rafineritë dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë qenë të detyruara të mbanin rezerva sigurie, ndërsa kontrolli i sasive kryhej nga institucionet shtetërore. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se kompanitë hidrokarbure kanë pasur detyrimin të sigurojnë 90 ditë rezervë, të llogaritura mbi aktivitetin e vitit paraardhës.
Në mars 2026, ministria shpjegoi konkretisht mënyrën se si funksiononte sistemi: kompanitë duhej të kishin 30 ditë rezervë fizikisht në Shqipëri, ndërsa 60 ditët e tjera mund të siguroheshin përmes mekanizmave të kontraktuar. “Subjektet e dinë që kanë detyrimin që të mbajnë 30 ditë rezervën hidrokarbure në Shqipëri të patur në vend dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar në mekanizma të ndryshëm”, deklaroi atëherë Karakaçi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte bërë të ditur që në mars se po punonte prej më shumë se dy vitesh për një ligj të ri. Sipas shpjegimit të dhënë atëherë, projektligji parashikonte krijimin e një agjencie të posaçme shtetërore, e cila do të administronte rezervën dhe do ta depozitonte atë në kapacitete shtetërore ose në depozita të marra me qira. Objektivi i deklaruar ishte krijimi i një rezerve minimale 90-ditore të produktit në vend.






Comments