Shqipëria "i mbyll derën" Brazilit! Nga sot, ndalohet importi i mishit brazilian

Nga sot, hyn në fuqi vendimi për të ndaluar importin e mishit dhe produkteve me origjinë shtazore nga Brazili në vendin tonë. Kjo ndërprerje e marrëdhënieve tregtare vjen pas vendimit të BE për të ndaluar furnizimin me produkte të origjinës shtazore nga Brazili, për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve. Në bazë të ndryshimeve të reja, Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Me hyrjen në fuqi të vendimit për vendin tonë, data e certifikatës veterinare bëhet një element i rëndësishëm për përcaktimin e statusit të ngarkesave që vijnë nga Brazili. AKU sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar. Pra, edhe pse rregullat e reja hyjnë në fuqi sot, ato nuk prekin në mënyrë prapavepruese ngarkesat për të cilat procedurat dhe dokumentacioni veterinar janë përfunduar përpara kësaj date. Sipas autoritetit, mishi i shpendëve dhe gjedhit nga Brazili mund të pranohet edhe nëse mbërrin në territorin e Republikës së Shqipërisë pas 3 shtatorit 2026, me kusht që certifikata zyrtare shëndetësore veterinare të jetë nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara kësaj date. Në vitin 2025, sasia e mishit e importuar nga Brazili llogaritet në rreth 13 mijë ton.






Comments