Shpronësime për nyjen e re të Laknasit, miliona lekë për pronarët e prekur nga zgjerimi i Tiranë-Durrës

Një tjetër hap është ndërmarrë për ndërtimin e nyjes së re që do të lidhë rrugën e Laknasit me autostradën Tiranë-Durrës. Në Fletoren Zyrtare është publikuar kërkesa për shpronësim të pronarëve të pasurive private që preken nga projekti, ndërsa vlera paraprake e kompensimit llogaritet në rreth 20 milionë lekë.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka publikuar në kërkesën për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme private që preken nga realizimi i projektit "Ndërtimi i Nyjes që lidh rrugën e Laknasit me projektin ‘Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës’”.
Sipas dokumentit zyrtar, vlera totale paraprake e shpronësimit është **19,916,795.10 lekë**. Kompensimi është llogaritur për pasuritë private të prekura nga projekti, përfshirë kategori të tilla si **“arë”, “truall” dhe “ndërtesë jobanimtare”**.
Lista e publikuar në Fletoren Zyrtare përmban edhe të dhënat paraprake të pronarëve dhe pasurive që preken nga ndërtimi i nyjes së re.
Shpronësimet lidhen drejtpërdrejt me një nga ndërhyrjet kryesore të Fazës III të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës.
Projekti nuk parashikon thjesht zgjerimin e korsive ekzistuese, por edhe krijimin e një lidhjeje të re mes rrugës së Laknasit dhe autostradës.
Sipas dokumenteve teknike të projektit, në këtë pikë do të ndërtohet një nyje në disnivel, e cila do të mundësojë hyrjen dhe daljen e mjeteve nga rruga e Laknasit drejt autostradës Tiranë-Durrës. Lidhja do të realizohet përmes rampave, të projektuara për të garantuar lëvizje më të sigurt dhe më të rrjedhshme.
Rrugët lidhëse dhe rampat janë parashikuar me parametra që mundësojnë qarkullimin e mjeteve pa krijuar ndërprerje të drejtpërdrejtë të trafikut në aksin kryesor.
Ndërhyrja në Laknas është e rëndësishme edhe për shkak të zhvillimit urban dhe industrial të zonës, ku qarkullimi i automjeteve është rritur ndjeshëm.
Faza III e zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës u tenderua në vitin 2025 me një fond limit prej rreth 2.5 miliardë lekësh, ose rreth 25 milionë euro. Projekti përfshin ndërhyrje në segmentin kryesor të superstradës, së bashku me nyjet lidhëse me zonat përreth.
Në dokumentet teknike janë parashikuar, krahas nyjes së Laknasit, edhe ndërhyrje në shtresat asfaltike, sistemin e drenazhimit të ujërave dhe nënkalimin e Limuthit, pranë Citypark.
Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme e kësaj faze është mbikalimi i ri i Kasharit, ndërsa në kantier po punohet edhe për formimin e trupit të rrugës. ARRSH ka bërë të ditur në gusht se punimet po zhvillohen në disa fronte njëkohësisht dhe, sipas saj, ecuria ka tejkaluar grafikun e parashikuar.






Comments