Shkrihen 15 bashki, Shqipëria kalon në hartën e re me 46 njësi vendore

Kuvendi miratoi me 85 votat e mazhorancës reformën e re administrativo-territoriale, e cila e redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Ndarja e re u miratua pa konsensus mes dy kampeve politike, me socialistët që mbrojtën bashkimin e njësive vendore dhe opozitën që kundërshtoi këtë model. Sipas variantit të miratuar, 15 bashki do të bashkohen me bashki fqinje, ndërsa numri i qarqeve do të mbetet 12. Mazhoranca argumenton se riorganizimi do të forcojë kapacitetet financiare dhe administrative të pushtetit vendor, si dhe do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Harta e re parashikon këto ndryshime në organizimin vendor:
• Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën.
• Klosi bashkohet me Matin.
• Rrogozhina bashkohet me Kavajën.
• Dimali dhe Poliçani i bashkohen Beratit.
• Patosi i bashkohet Fierit.
• Divjaka i bashkohet Lushnjës.
• Selenica i bashkohet Vlorës.
• Maliqi i bashkohet Korçës.
• Këlcyra bashkohet me Përmetin.
• Memaliaj bashkohet me Tepelenën.
• Libohova bashkohet me Gjirokastrën.
• Cërriku dhe Belshi i bashkohen Elbasanit.
• Prrenjasi i bashkohet Librazhdit.
Përtej bashkimit të bashkive, reforma parashikon edhe ndryshime në organizimin e brendshëm të tyre. Në strukturën e re përfshihet edhe niveli i “qytetit”, si hallkë ndërmjet bashkisë dhe njësive administrative, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin e shërbimeve. Megjithatë, secila bashki do të ruajë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Sfidë për zbatimin e reformës do të jetë mënyra se si bashkimi i strukturave dhe administratave do të përkthehet në shërbime më të mira dhe më të aksesueshme për banorët e njësive të prekura.






Comments