top of page

SHIFRAT/ Mijëra mjete ngelin në kontrollin teknik

Aug 28
2 min read

59,519 mjete nuk kanë kaluar kontrollin teknik në Shqipëri gjatë periudhës janar–korrik 2026, duke përbërë rreth 24% të totalit të mjeteve të testuara. Të dhënat e publikuara për kontrollin teknik tregojnë një numër të konsiderueshëm automjetesh që kanë rezultuar me probleme dhe janë detyruar të riparohen përpara se të rikthehen për testim.


Nga mjetet që kanë rezultuar me probleme, 52,560 janë ritestuar pas kryerjes së riparimeve, ndërsa 6,905 mjete janë ende në pritje për t'u riparaqitur për kontroll. 54 mjete janë refuzuar përfundimisht.


Sipas të dhënave, mjetet e ritestuara përbëjnë 88.31% të mjeteve të evidentuara në këtë proces, ndërsa ato që presin riparaqitjen zënë 11.60%. Mjetet e refuzuara përfundimisht përbëjnë 0.09%.


Gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë kryer 247,736 kontrolle teknike në qendrat e kontrollit teknik në të gjithë vendin.


Tirana kryeson me diferencë të ndjeshme sa i përket numrit të mjeteve të testuara. Në DRSHTRR Tiranë janë kontrolluar 90,287 mjete, ose 36.3% e totalit kombëtar.


Pas Tiranës renditen:


* Durrësi: 34,691 mjete

* Fieri: 22,214 mjete

* Elbasani: 15,962 mjete


Shifrat tregojnë se pjesa më e madhe e kontrolleve është përqendruar në qarqet me numrin më të lartë të mjeteve dhe popullsisë, me Tiranën që përbën më shumë se një të tretën e testimeve në rang kombëtar.


Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me automjetet e vjetra dhe të amortizuara. Gjatë periudhës janar–korrik 2026 janë çregjistruar përfundimisht 5,760 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh. Numri i mjeteve të çregjistruara ka shënuar një rritje prej 25.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Sipas të dhënave, arsyet kryesore të çregjistrimit kanë qenë mosplotësimi i standardeve të sigurisë, si dhe gjendja teknike e papërshtatshme, amortizimi dhe konsumi i lartë.


Të dhënat e kontrollit teknik nxjerrin kështu në pah një problem të rëndësishëm të flotës së automjeteve në vend: një pjesë e konsiderueshme e mjeteve që qarkullojnë kanë nevojë për ndërhyrje teknike, ndërsa mijëra automjete të vjetra po largohen përfundimisht nga qarkullimi.



 
 
 

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page