Rrugë të reja në 6 qarqe, shpallet fituesi i kontratës qindra milionëshe

Një paketë ndërhyrjesh në rrjetin rrugor pritet të nisë në gjashtë qarqe të vendit, pas përfundimit të procedurës së tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kompania “ALB-BUILDING” është shpallur fituese e kontratës me një ofertë prej 789.4 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa fondi limit i procedurës ishte rreth 1.25 miliardë lekë. Vlera e ofertës së kompanisë fituese rezulton rreth 36.85% më e ulët se fondi i parashikuar për këtë tender. Kontrata do të mbulojë ndërhyrje në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër. Ndryshe nga një projekt i fokusuar në një aks të vetëm, kjo procedurë parashikon ndërhyrje në segmente të ndryshme rrugore, të cilat do të përcaktohen gjatë zbatimit në varësi të nevojave. Bashkitë do të identifikojnë rrugët ku nevojiten punime, ndërsa përzgjedhja do të lidhet me gjendjen e infrastrukturës dhe problematikat e evidentuara në terren.
Në fokus janë rrugët ku shtresat asfaltike janë dëmtuar ose ku kushtet aktuale krijojnë vështirësi për qarkullimin e automjeteve. Sipas projektit, ndërhyrjet synojnë edhe përmirësimin e lidhjes me zona që kanë potencial ekonomik dhe turistik. Punimet nuk do të kufizohen vetëm te rikonstruksioni i sipërfaqes së rrugëve. Dokumentacioni teknik përcakton edhe kërkesa për organizimin e trafikut gjatë punimeve, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e standardeve të përcaktuara për ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Afati i parashikuar për kontratën është 24 muaj nga lidhja e saj. Kjo do të thotë se ndërhyrjet do të shtrihen në një periudhë dyvjeçare dhe do të realizohen në segmente të ndryshme, në varësi të prioriteteve të përcaktuara nga njësitë vendore.
Tenderi i shpallur tashmë është vetëm një pjesë e planit të FSHZH-së për ndërhyrje në të gjithë territorin. Fondi ka hapur dy procedura me vlerë totale rreth 2.5 miliardë lekë për 12 qarqet e vendit. Përveç Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, procedura e dytë përfshin Elbasanin, Korçën, Beratin, Vlorën, Fierin dhe Gjirokastrën. Edhe për këtë grup qarqesh parashikohet që rrugët konkrete të përcaktohen në bazë të nevojave dhe gjendjes së segmenteve.






Comments